Kulturë

“Nuk ke jetuar kurrë aq shumë sa kur ke menduar shumë”, fragmente nga Fernando Pessoa

Jeta është një udhëtim eksperimental i filluar pa dashje. Është një udhëtim i shpirtit përmes lëndës, dhe duke qenë se është shpirti ai që udhëton, brenda tij ne jetojmë.

Pra ka shpirtë soditës që kanë jetuar më intensivisht, më gjerësisht, më stuhishëm se të tjerët që kanë jetuar jetën e jashtme. Rëndësi ka rezultati. Çka kemi ndje edhe çka kemi pa. Kthehesh i lodhur nga një ëndërr ashtu si nga një punë reale.

Nuk ke jetuar kurrë aq shumë sa kur ke menduar shumë. Ai që rri në një kënd të sallonit vallëzon me të gjithë vallëzuesit. Ai sheh gjithçka dhe duke qenë se sheh gjithçka jeton gjithçka. Dhe meqenëse gjithçka, tek e fundit, është një ndjesi e jona, vlen njësoj prekja e një trupi si shikimi i tij a rikujtim i tij.

Unë vallëzoj kur shoh tek vallëzohet. Mund të them, si poeti  anglez që i shtrirë mbi bar sheh që larg tre korrës: ka edhe një kalorës të katërt, dhe ai jam unë.

Krejt kjo, thënë si e ndjej, i vjen për shtat lodhjes së madhe në dukje pa shkak që paska zbritur sot papandehur mbi mua. Jo vetëm jam i lodhur por edhe i hidhëruar, gjithaq edhe hidhërimi më është i panjohur. Nga ankthi që provoj në zgrip të lotëve: jo nga lotët që derdhen, por lotët që mbahen, lotët të një dhembjeje të shpirtit, jo të një dhembjeje shqisore.

Sa shumë kam jetuar pa pasë jetuar. Sa shumë kam menduar pa pasë menduar.

Botë dhunërash të paluajtshme, aventura të kaluara pa lëvizje, qëndrojnë mbi mua. Jam lodhur nga ajo që nuk kam pasë e nuk do kem; i lodhur nga Perënditë që nuk ekzistojnë. Bart me vete plagët e të gjitha betejave që kam shmangur. Trupi im dhemb sa mundet prej sforcimit që as mendova ta bëj.

O pak memec, asgjësor… Qielli i lartë i një vere të vdekur, të papërsosur. E shoh si të mos ishte. Flejë atë që mendoj, jam rrasur ndër teshat e gjumit dhe ec, vuaj dhe ndjej. Malli im i madh është për asgjë, është asgjë, si qielli i lartë që s’po shoh e po e vështroj në mënyrë pavetore.