Lajme

‘Nuk ka dosje për Ilir Metën’: Falsifikim skandaloz

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e cilësoi një manipulim të shëmtuar me metoda të ish-sigurimit të shtetit dosjen në të cilën përmendet edhe emri i tij.

Meta tha se nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston asnjë dosje për Ilir Metën.

“Mendoj se që nga 25 korriku kam dalë përballë të gjithë atyre që kanë kohë të gjatë që punojnë kundër interesave kombëtare të interesit të shtetit, kundër interesit publik. Dosjet janë hapur në mënyrë të vazhdueshme që nga ‘92 dhe ne kemi qenë gjithmonë mbështetës të hapjes së tyre. por në këtë rast nuk kemi të bëjmë me hapje dosjesh, kemi të bëjmë me një proces të shëmtuar të manipulimit të dosjes së një ish-student, jo Ilir metës, nuk ka ekzistuar kurrë një dosje për Ilir metën, që është përndjekur nga Sigurimi i Shtetit”, tha Meta, raporton Euro News.

Ish-presidenti përsëriti se në shtator do padisë Autoritetin e Dosjeve për falsifikim.

Tutje ai u shpreh se nuk ka kuriozitet për nisjen e hetimeve të SPAK-ut dhe nënvizoi se Prokuroria e Posaçme le të kërkojë kudo formularë për të.

“Mendoj se kjo është një pyetje krejt pa kuptim. Me certifikatë që kur kam lindur edhe sot e kam Metaj, për lehtësi në komunikimi me publikun kjo është një çështje tjetër. Unë kam qenë dhe jam gjithmonë ai që më njohin të gjithë. Nuk ka rëndësi kjo çështje, certifikata është bërë publike, në ndihmë të SPAK. Formularët të shkojë SPAK-u t’i kërkojë që nga çerdhja”, u shpreh Meta.

I pyetur lidhur me mundësinë e kandidimin për bashkinë Tiranë, siç është përfolur kohët e fundit në media, meta nuk e mohoi, ndërsa tha se çdo kandidat i opozitës do të jetë triumfues./SHQIP.com