Njohësit e Kushtetutës kundërshtojnë mbajtjen e referendumit serb në Kosovë: Shkelet rendi juridik dhe kushtetues

Nëse referendumi serb mbahet në Kosovë, atëherë është shkelje e rendit juridik dhe kushtetues të Kosovës.
Kështu ka deklaruar për Shqip.com, Kadri Kryeziu, ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Ai tha se një referendum i tillë nuk mund të mbahet në Kosovë, për shkak se ai është i dedikuar vetëm për qytetarët të cilët jetojnë në një shtet.
“E ndalon për atë aryse se nuk mbahet referendumi i qyterarëve të një shteti në një shtet tjetër. Referendumi është i sanksionar për shtetin, për qytetarët e shtetit në të cilin jetojnë. Në kontekstin e Serbisë nuk ja vlen qytetarët e Serbisë që të dalin në referendum për shkak të ndryshimeve të sistemit juridiko gjyqësor në Serbi”, tha ai.
Ndërkaq, për njohësin e Kushtetutës së Kosovës, Mazllum Baraliu, mbajtja e një referendumi të tillë, nuk është e pranueshme.
Sipas tij, moslejimi i mbajtjes së një referendumi të tillë ka të bëjë me frymën dhe parimet kushtetuese e juridike të një shteti sovran siç është Kosova.
Tutje, vendimin e Qeverisë për moslejimin e mbajtjes së një referendumi të tillë nga Qeveria e Kosovës, ai po e cilëson si “me vend dhe të drejtë”.
“Ky hap është jo vetëm me vend dhe i drejtë por edhe shprehje e identitetit shtetëror dhe mbrojtjtes së sovranitetit. Andaj insistimi i Borrellit është absolutisht i pavend dhe shpreh haptazi animin e padrejtë të Serbisë, të një shteti që nuk e njeh Kosovën dhe kërkon mbajtjen e një referendum të tillë”, shtoi ai.
Ndërkaq, krerët shtetërorë të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUNT-it dhe atë të Bashkimit Evropian.
Në deklaratë thuhet se Kosova nuk është zbrapsur nga qëndrimi për mos lejimin e organizimit të referendumit të Serbisë në Kosovës.
“Përveç se u ritheksua se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse, institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare.
Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Ndryshe, të premten Shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje për referendumin e 16 janarit në Serbi.
Përmes një komunikate, thuhet se ato mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë për ndryshimet kushtetuese duke vlerësuar si hap kyç për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit.
“Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar.
Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.
Lidhur me këtë, Ambasadorët e QUINT-it kanë shkuar në takim me kryeministrin Kurti, presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca./SHQIP.com