Lajme

Përfundon takimi mes ambasadorëve të shteteve të QUINT-it, Kurtit dhe Osmanit

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it duke dalë nga Presidenca

Ka përfunduar takimi mes ambasadorëve të shteteve të QUNT-it , kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani në ndërtesën e presidencës së Republikës së Kosovës.

Ky takim ka ardhur pas kërkesës së shteteve ndaj Qeverisë së Kosovës për lejimin e serbëve nga Kosova që të votojnë në referendumin në Serbi.

Ndryshe, të premten Shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje për referendumin e 16 janarit në Serbi, përcjell Shqip.com.

Ambasadorët e QUINTI-t para ndërtesës së Qeverisë.

Përmes një komunikate, thuhet se ato mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë për ndryshimet kushtetuese duke vlerësuar si hap kyç për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit.

“Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet ndër tjerash në komunikatë./Shqip.com