OP-ED Kolumne

Njeriu me pallto të gjatë!

Artan Kajtazi
Artan Kajtazi

Publikuar:

Meqë jemi në tranzicion të tejzgjatur (nuk është aspak çudi të shohësh njerëz duke hy dhe dalë nga bordelet e kazinotë), por absurditet është se si ata “sillen” me të tjerët! Si rrezojnë çdo gjë që iu del përpara me mëngët e gjata të palltove!

Duke e ndjerë këtë “shkëputje” nga realiteti, mesin e tyre, e pashë një njeri me pallto të gjatë që ishte shumë i motivuar pas “dashurive të mëdha”, pas “parasë” dhe “fesë”! Çuditshëm për një shoqëri! Normale, e zakonshme dhe kuptimplote për zotëriun!

Deri sa i pushtetshmi e “rregullon motin” dhe kënaqet duke pirë kafe e duhan, nën rrezet e diellit, ai “përgatit fjalime të mëdha” që ta emocionojë popullin! Në zyrën e tij, në ndërtesën “shumëkatëshe”, kalon net të tëra duke “menduar” për të ardhmen e qytetarëve! Duke menduar për prosperitet! Para së gjithash, duke menduar për mirëqenie!  

Pas shumë javësh “i ngujuar”, del me letrën e shkruar dhe bëhet gati për “veprim”! Njeriu me pallto të gjatë ka lënë çdo gjë mbrapa (edhe nënën e vetëm në katund “të pikëlluar”) që të zbret në qytet për “punë të mëdha”! Absurde, askush nuk brengoset për “bëmat” e tij! Ai djersen e la për këtë vend!  

Ai, çdo ditë e më tepër, po përshtatet me pluhurin e qytetit, zhurmat e makinave dhe me ndriçimin e rrugëve! Ai po portretizohet në publik si “njeri i ëndrrave të mëdha” që lufton dëshpërimisht me “natën”! Tanimë ka blerë edhe një qen të racës së “shtirë” me dhëmbë të mprehtë, por kujdeset për maskën në turit e tij.  

Njeriu me pallto të gjatë po përparon çdo ditë e më tepër! Tanimë po kujdeset për “dashuritë e mëdha”, “miqësinë”, “familjen e re” dhe “punën” (që e bënë me përkushtim)! Ai është i jashtëzakonshëm! Rrallëherë gjuan me armë në ambientet familjare!  

“Sherret”, “sharjet”, “lazdrimllakun” gjithashtu i ka lënë anash! Nuk merret më me to! Dhimbja e vetme e tij është “qytetari” dhe e ardhmja e tyre! Shumë brengosese! Ai nuk i bie me burisë në rrugë, e as nuk i vë alarm makinës! Është qytetëruar!

Me një gjë nuk po mundet të pajtohet: po tensionohet për “fajet” e pa bëra! Po tensionohet për “shtypjen e të drejtave të qytetarëve”! Por gjithsesi është “pjekur” maksimalisht sa ta kontrollon veten! Ai e ka ndërruar edhe theksin!

Njeriu me pallto të gjatë beson në Zot! Dhe për një rend shoqëror! Ai, gjithashtu, beson për një përpjekje “skenike” dhe të pamundurën ta bëjë të mundur!

Përdorimi i çdo mjeti që i vije përdore, dhe bindja e tij për punë të “ndershme”, janë pasqyrë e shpirtit të tij “fisnik”! Këto gjëra ndodhen për shkak të “paaftësisë së tij” dhe “heshtjes” qytetare!

Brutaliteti, diskriminimi, pushteti institucional, “qëndronin” në duart e tij! Megjithëse, ai kurrë nuk e “braktisi” mbështetjen për “ide” dhe “projekte” të mëdha!

Ai është “shkëputur” nga e kaluara e tij dhe është “bashkëngjitur” për të ndritshmen! Linjat e tij të gjata “hekurudhore” tashmë kanë kaluar kufij! Instalimi i rrjetit të tij ka “shkundur” edhe gjethet e pemëve në dimër!

Nuk ia vlen të flasësh më shumë për të “bëmat e tij” dhe “shpërqendrimet”, por servilizmin nuk e ka në gjak! Ai është “dalldisur” nga “produkti i ri”!  

Por, gjithsesi, ai dikur nuk gënjente! Ai dikur ishte tjetër! Ishte humanist! Ishte i jashtëzakonshëm! Ai asnjëherë nuk u poshtërua! Ai dikur ka bërë shumë për familjen, fenë dhe kombin! Ai u pendua!

/Shqip.com