Sport Ndërkombëtar

Një tjetër legjendë i jep fund karrierës

David Silva detyrohet të “varë këpucët në gozhdë” në moshën 37-vjeçare. Spanjolli pësoi një dëmtim të rëndë, teksa këputi ligamentet e gjurit të majtë në një prej seancave stërvitore me Real Sociedad.

Nëpërmjet një video ku përmbledh të gjithë karrierën e tij, David Silva njoftoi tërheqjen nga futbolli duke deklaruar se sot është një ditë e trishtë për të.

Karriera e David Silvas është mjaft e pasur duke qenë se ai ka fituar titujt më të rëndësishëm në karrierën e një futbollisti si Kampionati Botëror, dy Evropianë, katër Premier League, dy Kupa Mbreti, pesë Kupa të Ligës, dy FA Cup si dhe tre Community Shield, ndërsa i mungon vetëm Champions League.
Gjatë karrierës së tij, Silva numëron 784 ndeshje në të cilat ka mundur të shënojë 124 gola si dhe të asistojë në 154 raste.

Silva e nisi karrierën në Spanjë me Eibar për të vazhduar më pas te Celta Vigo, Valencia, Manchester City si eksperienca më e rëndësishme dhe në fund rikthimi në La Liga te Real Sociedad, pjesë e të cilës ishte prej vitit 2020.

/Shqip.com