Lajme

Një punëtor i KEDS-it vdes pas kontaktit me rrymën

Punëtori i KEDS-it

Punëtori i KEDS, Idriz Prekazi, ka vdekur sot në vendin e tij të punës, si pasojë e një incidenti me rrymën, njofton Shqip.com.

Kështu njoftoi kryetari i komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Jashari tha se Prekazi ishte mik i tij, teksa i shprehu ngushëllime familjes.

“Me dhimbje e pikëllim mora lajmin për vdekjen në mënyrë tragjike të shokut e mikut tim, Idriz Prekazi. Si punëtor i vyer i KEDS-it, Idrizi sot brenda orarit zyrtar të punës, duke i shërbyer vendit dhe qytetarëve, vdiq në menyrë tragjike pas një incidenti me energji elektrike”, ka shkruar Jashari.

“Idriz Prekazi ishte një punëtor, burrë, prind, mik e shok shembull për të gjithë. Vdekja e tij tragjike është një goditje e madhe për të gjithë ne. Në emrin tim personal dhe të komunës së Skenderajt, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Prekazi, kolegët e punës, shokët dhe të gjitha ata që kishin fatin ta njohin Idrizin. U prehsh në paqe mik i dashur!”, shtoi ai.

Vdekjen e këtij punëtori e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale e Mitrovicës.

“Rreth orës 17:30 të datës 21 korrik 2021, është raportuar se në rrugën “Marie Shllaku” në Skenderaj viktima rreth 53 vjeçar, kishte pësuar lëndime nga rryma elektrike. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, ndërsa më vonë nga autoritetet spitalore është raportuar se viktima ka vdekur. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Trupi i pajetë i viktimes dërgohet në IML për obduksion”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Avni Zahiti. /Shqip.com