Lajme

Një person arrestohet në Mramor të Prishtinës, i konfiskohen mbi 27 kg marihuanë

Një person është arrestuar në fshatin Mramor të Komunës së Prishtinës, pasi që dyshohet se në veturën e tij janë gjetur më shumë se 27 kilogramë të marihuanës.

Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, përveç lëndës narkotike, janë sekuestruar edhe një veturë, 60 euro dhe 320 dinar.

“Në zbatim të operacionit policor, në fshatin Mramor të Prishtinës, është ndaluar një veturë me targa vendore. Policia, gjatë kontrollit të veturës të cilën e ngiste N.N., (viti i lindjes 1988, mashkull, kosovar), ka gjetur dhe konfiskuar 27 kg. e 600 gr., substancë që dyshohet të jetë marihuanë. Po ashtu janë sekuestruar edhe një veturë me targa vendore, 60 euro dhe 320 dinar (monedha serbe)”, thuhet në njoftimin e PK-së.

PK-ja ka njoftuar se lidhur me rastin është lajmëruar edhe prokurori i shtetit dhe me urdhër të gjyqtarit është kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarit.

“Për veprimet lidhur me rastin është lajmëruar Prokurori i Shtetit pranë Prokurorisë Themelore të Prishtine dhe me urdhër të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake është kryer kontroll te shtëpia e të dyshuarit (në fshatin Badofc i Ri Graqanicë), por nuk është gjetur asgjë e dyshuar”.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit ju është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë./Shqip.com

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë tekst, cilësohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga ana e gjykatës.