Lajme

Një muaj paraburgim për zyrtarin policor të Gjilanit që u kap me kokainë

Gjykata Themelore në Gjilan.

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj ndaj të pandehurve, A.H., zyrtar policor, dhe L.H., për shkak se kanë poseduar pa autorizim substancë narkotike të llojit “kokainë”, përcjell Shqip.com.

Sipas njoftimit, ekziston dyshimi se dy të pandehurit me dashje kanë poseduar “kokainë” dhe atë ia kanë shitur të pandehurit F.S., i cili ishte fshehur në një motel së bashku me të pandehurit tjerë të cilët janë në arrati.

Lexo edhe:
Arrestohet punonjësi i stafit civil të Policisë në Gjilan, u kap me drogë

“Po ashtu, të pandehurit A. H. (zyrtar policor) dhe L. H. me dashje në bashkëkryerje në kundërshtim me ligjin për armët kanë shitur një armë zjarri të pandehurit F. S.

Me këto veprime, të pandehurit dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën veprat penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge dhe veprën penale importi, eksporti furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Ndryshe, për arrestimin e të dyshuarve kishte njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës të dielën.

IPK kishte bërë të ditur se dy persona, një prej tyre punonjës i stafit civil të policisë në Gjilan, janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës për shkak të posedimit të narkotikëve.

Inspektorati ka njoftuar se gjatë kontrollit te të dyshuarit janë gjetur 0.6 gramë substancë narkotike që dyshohet se është kokainë.

“Hetimi për këtë rast kishte filluar ditë më herët pas pranimit të disa informacioneve përmes rrugëve operative – hetimore me dyshimin së në këtë rast ishte i përfshirë edhe një punonjës i policisë respektivisht një zyrtar i stafit civil i punësuar në Drejtorinë Rajonale në Gjilan.

Hetuesit e IPK-së në këtë rast kanë aplikuar metoda dhe teknika të hetimit  në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe gjatë kontrollit te të dyshuarit janë gjetur 0.6 gram substancë narkotike që dyshohet të jetë kokainë dhe një sasi e konsiderueshme e pakove të cigareve me të cilat dyshohet se është bërë pagesa e substancës së dyshuar narkotike”, thuhej në njoftim./SHQIP.com