Lajme

Një muaj paraburgim për gjilanasin, goditi dy persona më shufër metalike

Gjykata e Gjilanit.

Gjykata Themelore në Gjilan ka njoftuar së  ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit T. L., shkruan SHQIP.

Sipas komunikatës së dërguar për media thuhet së ekziston dyshimi i bazuar se më datë 03.07.2021, i pandehuri pas një mosmarrëveshje me D. Rr., me dashje i ka shkaktuar lëndim trupor të dëmtuarve I. Rr. dhe R. Rr., duke i goditur me një shufër metalike në fytyrë dhe në pjesët e tjera të trupit, ku nga lëndimet e marra kërkojnë ndihmë mjekësore në Spitalin Regjional të Gjilanit.

“Me këto veprime, i pandehuri T. L. dyshohet se ka kryer veprën penale “lëndim i rëndë trupor” vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatë.

Gjyqtarja e procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës penale./SHQIP.com