Lajme

Një muaj paraburgim për 6 të arrestuarit e dytë në rastin e 11-vjeçares

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për gjashtë të arrestuarit e dytë në rastin e përdhunimit të 11-vjeçares.

Sipas njoftimit për media, të pandehurit të cilëve iu caktua masa e paraburgimit janë D.RR., G.S., B.S., F.S., M.S., dhe M.R., pasi të njëjtit dyshohet se e kanë kryer veprën penale “Dhunimi”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër gjashtë të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin veç e veç”.

Tutje, në njoftim thuhet se gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyrë dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale ndaj të miutrës, prandaj edhe është marrë vendimi për paraburgim, pasi ekziston rreziku i ikjes së tyre.

Lexo edhe:
Dosja: Tmerret që i kaloi 11-vjeçarja në qershor, gjashtë dhunime për një ditë

“Ekziston rreziku i ikjes së tyre, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, ekziston rreziku që i njëjtit do të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo edhe të falsifikojnë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuaren dhe në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të njëjtit në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Ngjarja e rëndë pretendohet të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur në park të kryeqytetit dhe me pas janë bashkangjitur edhe të tjerët.

Policia e Kosovës njofton se pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore.

Lidhur më këtë ngjarje ka ardhur edhe reagimi nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu ka kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës si dhe prokurorit që ka qenë i ngarkuar në rastin në muajin qershor./Shqip.com