Një muaj paraburgim për 13-të e arrestuarit në rastin “TOTO”
Katër ditë më parë, si rezultat i hetimit disa mujor, Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Gjykatës Themelore në Prizren, kanë realizuar një operacion të gjerë të koduar me emrin “TOTO” në disa rajone të vendit.
Gjatë këtij aksioni u arrestuar 13 persona të dyshuar. Qëllimi i këtij aksioni ishte arrestimi i disa personave të cilit ishin të përfshirë në kryerjen e veprave penale të “Fajdes”, Detyrimit” dhe “Organizimi i Skemave Piramidale dhe Bixhozit të Paligjshëm”.
Sot gjatë ditës Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se ka vendosur që të arrestuarave tu shqiptohet masa e paraburgimit për 1 muaj.
“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Ajser Skenderi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 05.10.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 05.11.2022 ndaj trembëdhjetë (13) të pandehurve për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale” thuhet në njoftim.
Po ashtu është bërë e ditur se Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

“Gjykata ka vlerësuar se faza hetimore është në fazën fillestare, dhe në vazhdim duhet të dëgjohen dëshmitarë, të dëmtuar dhe të identifikohen edhe dëshmitarë të tjerë, andaj me lënien në liri të të pandehurve ekziston rreziku i ndikimit në prova dhe deklarata të dëshmitarëve, është konstatim i Gjykatës se nëse të pandehurit lihen në liri mund të krijohen rrethana që të pandehurit të i ikin përgjegjësisë penale, pasi që veprat penale dyshohen ti kenë kryer në bashkëkryerje” thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjithashtu, gjatë aksionit të zhvilluar disa ditë më parë, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: Para të gatshme 55.388 euro, 1700 franga zvicerane, 50.000 lek, 100 dollar 1320 dinar serb, dy armë zjarri, 39 copë fishek, 29 telefona celularë, 1 kompjuter laptop, 2 USB, 350 pako cigare pa banderola dhe 6 vetura.
/Shqip.com