Një flamur i UÇK-së vendoset te Ambasada e Serbisë në Finlandë

Një flamur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është vendosur mbrëmjen e së hënës te ndërtesa e Ambasadës së Serbisë në Finlandë, transmeton Shqip.com.
Përmes një njoftimit, Ministria e Jashtme e Serbisë e ka cilësuar këtë si akt provokues dhe vandal.

Tutje, sipas njoftimit, ambasadori serb, Sasha Obradoviq, e ka hequr flamurin nga aty dhe se për këtë ka njoftuar policinë në Helsinki.
“Në ndërtesën e Ambasadës së Republikës së Serbisë në Finlandë, autorë të panjohur mbrëmë kanë vendosur flamurin e UÇK-së terroriste ( e ashtuquajtura Ushtria Çlirimtare e Kosovës). Mëngjesin e sotëm, ambasadori Sasha Obradoviq hoqi flamurin nga hyrja e oborrit të ambasadës dhe njoftoi policinë e Helsinkit për incidentin, e cila shkoi në vendin e ngjarjes dhe kreu hetimet”, thuhet ndër tjera në njoftim.
Ky veprim vie pas vendosjes së reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës lidhur me targat e veturave të Serbisë, ku nga 20 shtatori, çdo veturë duhet t’i zëvendësojë tabelat me ato të Kosovës.
Të pakënaqur për këtë, serbët që jetojnë afër pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, i kanë bllokuar rrugët që nga vendosja e reciprocitetit.
Për të mbikëqyrur situatën, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në këto pika kufitare. Ata janë provokuar disa herë nga protestuesit serbë, të cilët lëshonin këngë nacionaliste.
Po ashtu, gjatë ditëve të fundit janë parë edhe helikopterë ushtarak serbë që patrullonin mbi këto pika kufitare./Shqip.com