Lajme

Një ditë larg qortimeve për targat

Targat ilegale në Mitrovicën e Veriut

Kanë mbetur më shumë se një ditë që nga hyrja në zbatim e vendimit për qortimin lidhur me targat ilegale në veri të Kosovës.

Nga 1 nëntori deri me 21 nëntor Qeveria e Kosovës ka vendosur që të gjithë shoferët që vozisin automjete me targa “KM” do të ‘qortohen’ dhe duke vazhduar më pastaj me masën e gjobitjes pas datës 21.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se pas 21 prillit të vitit të ardhshëm nuk do të lejohen targa të tjera në Kosovë përveç atyre “RKS”.

“Kemi ardhur në përfundim që të sjellim një vendim, i cili bënë sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve me rastin e zbatimit të këtij vendimi. Më konkretisht për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më datë 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit, pastaj nga 21 nëntori për dy muaj deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë më 21 prill, nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Ky vendim ka ngjallur reagime të shumta në publik, pasiqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Kosova që të shtyjnë këtë afat të paktën për dhjetë muaj.

SHBA e zhgënjyer nga vendimi për targat: Kosova i refuzoi kërkesat tona – SHQIP.com

Ndërsa, në reagimin e Departamentit të Shtetit Amerikan, thuhet se ata janë të zhgënjyer nga refuzimi i kërkesës së tyre.

“Shtetet e Bashkuara, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të regjimit të ri të targave. Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë”, thuhet në reagimin e tyre.

Bashkimi Evropian ka thënë se Kosova ka të drejtë të heq targat KM por duhet të bëhet në mënyrë graduale duke u dakorduar me dialog.  Ata cilësojnë se është shkelur marrëveshja e vitit 2016-të në të cilën heqja e targave përshkruhej me afat kohorë prej 12 muajsh.

Kundër ndryshimit të tragave ilegale në Kosovë, qëndron edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiç.

Në rast se këto targa nuk lejohen nga autoritetet e Kosovës, Vuçiq ka parlajmëruar ‘përshkallëzim’ të popullatës serbe në veri.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që obligonte pronarët e makinave me targa të akronimeve që t’i regjistronin ato në “RKS”.

Ky vendim do të hynte në fuqi që nga 1 gushti i këtij viti por për shkak të situatës së tensionuar, ky vendim u shty për një muaj duke u  vendosur një afat kohorë deri me 31 tetor.

Gjatë kësaj periudhe kohore makina të regjistruar në RKS ka pasur shumë pak por nuk kanë munguar as incidentet.

Nga 1 shtatori janë regjistruar tri incidente në të cilat janë të përfshirë persona që ju kanë përgjigjur ftesës që t’i kthejnë targat. Lidhur me këtë, Institucionet e Kosovës janë duke i akuzuar strukturat ilegale të cilët po frikësojnë qytetarët serb.

Përfaqësuesit e Listës Serbe nuk kanë reaguar për djegien e makinave dhe pronave të banorëve serbë. As Beogradi zyrtar nuk ka komentoi publikisht sulmet.

Në një anketë të zhvilluar javën e kaluar në veriun e banuar me shumicë serbe nga organizata “Qendra Humane Mitrovicë”, thuhet se 86 për qind e banorëve të veriut kanë frikë të shprehin publikisht qëndrimin e tyre kritik për targat, mes paralajmërimeve të zyrtarëve serbë në Kosovë dhe Serbi, se pas 31 tetorit mund të ketë barrikada në veri nëse Kosova konfiskon veturat dhe targat serbe.

Njohësi i çështjeve të sigurisë nga Mitrovica e Veriut, Verolub Petroniq, nga kjo organizatë, që nuk ka dëshiruar që të komentojë djegien e makinave të serbëve që janë pajisur RKS, ka thënë për REL-in se shumica e banorëve serbë në veri janë të gatshëm të marrin pjesë në protesta, përfshirë barrikada dhe forma të tjera të mosbindjes civile.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, kishte paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe.

Deri më tani, vetëm 20 makina janë riregjistruar në RKS, dhe ky numër i vogël – krahasuar me afër 10.000 makina sa besohet se kanë targa ilegale në Kosovë.

/Shqip.com