Lajme

Nis numërimi i votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta

Qendra e Numërimit të Rezultateve

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, të cilat u takojnë raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të 21 Komunave, që u mbajtën më 14 nëntor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka thënë se gjithsejt janë 10 mijë e 303 vota me kusht dhe vota të personave me nevoja të veçanta, shkruan Shqip.com.

“Gjatë ditës së zgjedhjeve janë hedhur 10,303 vota të cilat janë vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta. Pas procesit të verifikimit të tyre, janë konfirmuar 9,313 vota me kusht, ndërsa janë refuzuar 990”, tha Elezi.

Ai tha se KQZ-ja është duke u angazhuar në përmbylljen e të gjithë procesit të Zgjedhjeve Lokale 2021.

Sipas tij, pjesa më e madhe e rezultateve tashmë janë certifikuar nga ky institucion.

Lista me numrin e zarfeve të fletëvotimeve me kusht

“Gjithashtu, dua të njoftoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u angazhuar që të përmbyllë procesin e zgjedhjeve lokale, i cili ka filluar në mes të muajit qershor, pasi ishte shpallur data e zgjedhjeve lokale. Deri më tani, KQZ ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për 38 Kuvendet Komunale dhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për Kryetarë të 17 Komunave, që janë mbajtur më 17 tetor”.

“Në proces është shpallja dhe certifikimi i rezultatit përfundimtar të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 21 Komunave që u mbajtën më 14 nëntor”, tha Elezi.

Numërimi i këtyre votave ka rëndësi sidomos për rezultatin në Komunën e Dragashit, pasi që aktualisht kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini, është vetëm 143 vota para kandidatit të PDK-së, Shaban Shabani.

Numri i zarfeve të fletëvotimeve me kusht në komunën e Dragashit, sipas të dhënave të KQZ-së, është 211./Shqip.com