Lajme

Nis me debate Kuvendi/ Opozita kërkon mocion për “Xibrakën”, mazhoranca: Çështje e mbyllur nga drejtësia

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi nga Kuvendi deklaroi se Kuvendi po shkel rregulloren, pasi sipas tij do të duhej të ishte futur në rend dite mocionin me debat për trafikun e drogës, duke u ndalur te hetimet për Xibrakën.

“Duhet të lejosh minutazhin deputetëve. Secili deputet e menaxhon vetë fjalën. Në shkelje të plotë të rregullores së Kuvendit anashkaluat një çështje që është shqyrtuar në konferencën e Kryetarëve, në kundërshtim me rregulloren keni vendosur që mos ta sillni në seancë plenare. Do të duhet të respektoni atë dispozitë që aplikuar në Konferencë. Grupi parlamentar ka paraqitur kërkesë me debat sa i takon prodhimit dhe shitjes së lëndëve të trafikut të drogës në vendin tonë. Ne kemi sjellë shembullin e lëshimit nga policia, të bashkëpunimit të Olsi Ramës për rastin e Xibrakës. Ju keni vendosur që të bëheni palë dhe ta mbroni, të bëheni avokat të Olsi Ramës. Ju nuk e keni sjell këtë mocion në Kuvend. Nuk mund të mbyllni këtë rast se nuk është mbyllur hetimi për Xibrakën.”, tha ai.

Por nga ana tjetër kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, sqaroi në seancën e sotme qëndrimin e mazhorancës lidhur me kërkesën e opozitës për mocion me debat.

Çuçi tha se këto çështje tashmë janë ezauruar nga gjykatat dhe debatet parlamentare, përfshi këtu edhe komisionet hetimore.

Në Konferencën e Kryetarëve ne nuk pranuam as rendin e ditës sespse kjo është një çështje e ezauruar nga organet e drejtësisë dhe në këtë parlament. Po të lexosh kërkesën e bërë nga grupi i PD aty duket qartë që të gjitha referencat lidhen duke filluar nga grupi i Habilajve, e cila është gjykuar nga drejtësia italiane e shqiptare dhe janë marrë vendime të formës së prerë, për të vijuar më pas me Xibrakën e cila është hetuar dhe gjykuar me vendim të formës së prerë. Për ne nuk ekziston një çështje e tillë për mocion me debat”, deklaroi Çuçi duke sjell në vëmendje edhe Komisionin Hetimor të ngritur në parlament në vitin 2018.

/Shqip.com