Lajme

“I gjithë llumi është mbledhur bashkë”, Veliaj me akuza të forta: Sulmohem nga analistët se kërkojnë përfitime nga bashkia e Tiranës

Kryebashkiaku Erion Veliaj foli me tone të ashpra në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Në takimin që u zhvillua online, Veliaj akuzoi mediat, gazetarët dhe analistët kritikë me të.

Kryebashkiaku u shpreh se sulmet në adresë të tij bëhen nga ata që kërkojnë përfitime nga bashkia e Tiranës.

“Secili prej analistëve ka kërkuar diçka në Bashkinë e Tiranës. E di ai çfarë ka kërkuar Ben Rreli për atë portalin, që nuk jepet leje në Kopshtin Zoologjik; e di ai tjetri çfarë ka kërkuar për sondazhet që nuk i bën dhe faturon shifra të panevojshme, dhe kur s’e duan në Kosovë, në Shqipëri e shohin akoma më me përbuzje. Prandaj vlerësohet Tirana edhe në Kosovë, se njerëzit më të poshtër, që ata i kanë përzënë, nuk qasen në Bashkinë e Tiranës dhe nuk kanë pikë aksesi.

Ai që ka ndërtuar pallat në mes të Bllokut e ka shumë kollaj të bëjë emision, se ky kryetar bashkie nuk e lë më të bëjë pallat në mes të Bllokut, duke ia vjedhur tokën e vet motrave Saleziane. Asnjë të mos ketë asnjë iluzon, secili prej atyre që është aty përballë ka interesin e tij, ka fundshpinën e vet interes, nuk i qan halli as për pastrimin, as për ndërtimin e shkollave, por ka vetëm një llogari.

Unë llogarinë e kam me qytetarët e Tiranës dhe unë jam krenar që shumica dërrmuese e llumit të analistëve, që nuk kanë qenë mentori i askujt, që nuk i kanë thënë bravo askujt, që nuk kanë rritur asnjë talent të ri edhe t’i thonë ‘ec përpara, shkëlqe’, ‘jam krenar për ty’. Por përkundrazi, sa shohin dikë, i keni parë, janë burra nga 55-60-65-vjeç, që rrinë natën në televizione, sikur janë te ‘peshqirat’, sikur shikojnë Pornhub, dhe të eksituar si ata pitbullët, shqyejnë çdo gjë të re që u kalon përpara.

Jam krenar për punët dhe jam krenar për të gjithë llumin e bashkuar kundër nesh, se njerëzit e drejtë vlerësohen jo vetëm çfarë punësh kanë bërë, por edhe sa kanë frymëzuar armiqtë dhe fundërrinat e këtij qyteti të bëhen bashkë si kurrë më përpara. Ata kanë harruar gjithçka kanë thënë për njeri-tjetrin, vetëm të bllokohet puna, vetëm të bllokohet e mira, vetëm të bllokohet progresi”, tha Veliaj.

/Shqip.com