Lajme

34 apartamente janë ndarë për familjet e komuniteteve joshumicë në Graçanicë

34 apartamente të reja janë ndarë për familjet e komuniteteve joshumicë që kanë banuar në qendra kolektive në Suhadoll të Graçanicës. Aty kanë marrë pjesë edhe kryeministri Kurti dhe ministri Rashiq.

“Në ceremoninë e përfundimit të banesave si pjesë e projektit të strehimit të familjeve nga radhët e komuniteteve joshumicë që kanë banuar në qendra kolektive, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ishte i pranishëm me rastin e dorëzimit të 34 çelësave të apartamenteve të reja familjeve nga radhët e komunitetit joshumicë rom dhe serb, në Suhadoll të Komunës së Graçanicës”, tha ai.

“Sot jemi këtu, të pranishëm në dorëzimin e 34 çelësave. Jemi këtu për të festuar tridhjetë e katër apartamente të reja, ku do të strehohen gjithsej 83 anëtarë të familjeve, dhe mundësitë e reja që këto u ofrojnë familjeve që do të vendosen aty. Të gjithë mund të ndjejmë frymëzimin që paraqet ky fillim i ri, nga akomodimi i denjë, ku individ e çifte; prindër e fëmijë; të moshuar e të rinj mund të qëndrojnë sigurt dhe ngrohtë – veçanërisht në këto ndërtesa që janë modele të ruajtjes dhe qëndrueshmërisë së energjisë”, tha Kurti.

Fjalimi i plotë i Kurtit:

 Shkëlqesia juaj, Tomas Szunyog, Shef i Zyrës së BE-së dhe Përfaqësues Special i BE-së,

Z. Nenad Rashiq, Ministër për Komunitete dhe Kthim,

Znj. Kristen Stec, Drejtoreshë e Këshillit Danez për Refugjatët

Zonja dhe zotërinj,

Sot jemi këtu, të pranishëm në dorëzimin e 34 çelësave. Jemi këtu për të festuar tridhjetë e katër apartamente të reja, ku do të strehohen gjithsej 83 anëtarë të familjeve, dhe mundësitë e reja që këto u ofrojnë familjeve që do të vendosen aty. Të gjithë mund të ndjejmë frymëzimin që paraqet ky fillim i ri, nga akomodimi i denjë, ku individ e çifte; prindër e fëmijë; të moshuar e të rinj mund të qëndrojnë sigurt dhe ngrohtë – veçanërisht në këto ndërtesa që janë modele të ruajtjes dhe qëndrueshmërisë së energjisë.

Dorëzimi i këtyre çelësave sot përfaqëson edhe dy arsye të tjera për të festuar. E para, është se hapja e dyerve të këtyre apartamenteve na kujton dyert e qendrave kolektive të cilat përfundimisht janë mbyllur.

Në Strategjinë tonë për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, të cilën qeveria jonë e miratoi katër muaj më parë, ne u zotuam për mbylljen e këtyre qendrave kolektive, dhe për familjet këtu që jetonin në Qendrën Kolektive Padalishte – në disa raste për më shumë se njëzet vite – sot pasqyrojnë fundin e një udhëtimi të gjatë, pasi që më në fund po kalojnë në një shtëpi afatgjate.

Arsyeja e dytë për të festuar, është për shkak të mënyrës se si janë bërë të mundura këto shtëpi të reja. Qeveria është krenare që ka kontribuar me buxhetin e saj, por ne e dimë se pa shumë partnerë të tjerë, nuk do të kishim mundësi të arrinim këtë sukses. Zyra e BE-së në Kosovë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm financiar së bashku me fondet e ofruara nga Ministria për Komunitete dhe Kthim. Komuna e Graçanicës ka dhuruar tokën dhe ka ndihmuar në projektimin e hapësirave komunale dhe zonave rekreative. UNHCR-ja dhe partneri i tyre zbatues, Advancing Together, i kanë mbështetur të gjithë këto familje përmes vlerësimit dhe përzgjedhjes, dhe Këshilli Danez për Refugjatët e ka bashkërenduar procesin gjatë gjithë kohës. Ky lloj partneriteti – ndërmjet qeverisë qendrore, qeverisë lokale, partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile – është ajo çfarë i bën komunitetet e suksesshme, të  qëndrueshëm, dhe ne besojmë në fuqinë e këtij bashkëpunimi.

E dimë që nuk mjafton ta kemi një ndërtesë të re. Jemi të lumtur që shtëpitë tuaja janë mobiluar e pajisur, por gjithashtu duam që ju të keni mbështetjen për projektet e gjenerimit të të ardhurave, trajnimet e aftësimit profesional dhe ndihma të tjera për të hyrë në tregun e punës, në mënyrë që këto ndërtesa të mos jenë vetëm bazë për jetën tuaj të re, por për mjete të reja jetese. Shpresojmë se do të mund të përfitoni nga nismat që ofron qeveria jonë, me fokus të veçantë në komunitetet joshumicë – siç është platforma Kosova Generation Unlimited për praktikë me pagesë; ose nga verifikimi i diplomave duke filluar nga kjo verë për nxënësit që kanë përfunduar shkollën e mesme në sistemin e gjuhës serbe në Kosovë; ose vende pune në institucionet qendrore që rekrutohen përmes konkurseve të rezervuara për komunitetet joshumicë; apo 1 milion euro të ndara nga Ministria për Komunitete dhe Kthim këtë vit për të mbështetur punësimin e komuniteteve joshumicë, duke përfshirë edhe bizneset start-up.

Andaj, ne jemi këtu për të festuar me ju sot, por edhe për t’ju mbështetur në ecjen përpara. Ndërkohë, unë ju shpreh urimet e mia për gjithçka çfarë përfaqësojnë këto shtëpi të reja – si simbole të mundësive të reja dhe fuqisë së bashkëpunimit. Ju uroj shëndet, lumturi dhe begati në këto shtëpi të reja për shumë vite në vazhdim! Srecno useljenje!

/Shqip.com