Lajme

Nis greva e përgjithshme në tërë sistemin arsimor

Ilustrim

Për shkak të mos plotësimit të kërkesave nga ana e Qeverisë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kultturës nga sot, 1 shtator ka vendosur të hyjë në grevë të përgjithshme.

Kjo për shkak se sindikalistët nuk arritën të dakordohen me zyrtarë të institucioneve kërkesat e tyre.

Përmes saj, mësimdhënësit synojnë t’i realizojnë kërkesat e tyre për 100 euroshin dhe miratimin e Ligjit të Pagave.

Kundër kësaj proteste janë shprehur hapur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci.

Në konferencën e 31 gushtit, ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka bërë të ditur se autoritetet kompetente kanë bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për muajin gusht, për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit.

Ilustrim

“Janë procesuar vetëm pagat për organizatat buxhetore (siç janë komunat) që kanë arritur të kompletojnë me kohë listat e pagave”, ka thënë Murati në një konferencë për media.

Lexo edhe:
Ministri i Financave: Mësimi fillon më 1 shtator – ata që janë në grevë pezullohen nga paga

Ai ka thënë se ky përditësim i listës së pagave është i nevojshëm pas grevës që kanë nisur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK).

Ministri Murati ka thënë se prindërit dhe disa punonjës të arsimit dëshirojnë që mësimi të fillojë më 1 shtator, andaj edhe beson që të gjithë mësimdhënësit do të jenë në vendin e punës.

“Ata janë të vetëdijshëm që çfarëdo greve që mbahet, fillimisht i dëmton nxënësit, të cilët edhe ashtu e kemi parë në testet ndërkombëtare se nuk qëndrojnë mirë, por dëmton financiarisht edhe vetë grevistët që nuk paguhen për ditët që janë në grevë”.

Në anën tjetër, MASHTI përmes një njoftimi në media ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2022/2023.

Në Ligjin për greva në Kosovë thuhet se ‘organizatat sindikale, apo gjysma e të punësuarve të një organizate të caktuar punuese, ku nuk ka organizim sindikal, kanë të drejtë të organizojnë greva, për t’i mbrojtur interesat e tyre ekonomike, sociale dhe profesionale’.

Aty po ashtu përmendet se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar, por se ndërprerja ose largimi nga marrëdhënia e punës për shkak të pjesëmarrjes në një grevë të ligjshme, është vendim i kundërligjshëm./Shqip.com