Sport Ndërkombëtar

Nga heroi në “tabelë qitjeje”

Manuel Neuer është në një situatë aspak të mirë te Bayern Munich. Presidenti i klubit, Herbert Hainer, iu është bashkuar kritikave ndaj portierit pas intervistës kontroverse në të cilën ai dhe kapiteni i klubit bavarez sulmoi klubin për shkarkimin e trajnerit të portierëve Toni Tapalovic.

“Për klubin është e pakuptueshme dhe zhgënjyese që Manuel Neuer nuk kërkoi komunikim të drejtpërdrejtë me ne, por përkundrazi iu drejtua shtypit. Jam më shumë i zhgënjyer sesa i zemëruar, sepse mendova që Manuel, i cili është një lojtar i madh dhe ka qenë këtu për një kohë të gjatë, do t’i diskutonte ato çështje me ne fillimisht”, ka thënë Hainer.

Kritikat e Hainer iu shtohen atyre, tashmë të bëra nga presidenti i Bordit të drejtorëve, Oliver Kahn, dhe drejtori sportiv Hasan Salihamidzic. Hainer, megjithatë, përjashtoi që rasti Tapalovic mund të çojë në një ndërprerje të kontratës së Neuer, siç është sugjeruar në disa media: “Jo, ne jemi FC Bayern, këtu këto konflikte trajtohen nga brenda dhe në fund ato forcojnë klubin”.

Pyetjes nëse Neuer, aktualisht i dëmtuar dhe jashtë deri në fund të sezonit, mund të humbasë shiritin e kapitenit, Hainer iu përgjigj në këtë mënyrë: “Ne do të takohemi me të dhe do të analizojmë gjithçka profesionalisht. Manuel Neuer është një portier i klasit botëror, që ka luajtur me ne për më shumë se 10 vite. Tani e rëndësishme është që ai të rikuperohet nga lëndimi, pastaj do të shohim”.

/Shqip.com