Protesta ndahet në tre fronte/ Një grup krijon “Lëvizjen Studentore”, të tjerët i bashkohen takimit të Ramës, disa vijojnë qëndresën në shesh
Protesta studentore në Shqipëri duket se po hyn në një fazë të re, teksa protestuesit janë ndarë në tre grupe, me qëndrime dhe zhvillime të ndryshme sa i takon vazhdimësisë. Një pjesë e studentëve kanë vendosur të organizohen në një strukturë të re, duke krijuar “Lëvizjen Studentore”, me synimin për të vijuar aktivitetin e tyre përmes një organizimi të përbashkët.
Ndërkohë, një grup tjetër protestuesish i është përgjigjur ftesës për të marrë pjesë në takimin me kryeministrin Edi Rama, duke zhvilluar një takim me kreun e qeverisë.
Vetë Rama ka reaguar përmes një postimi, ku ka publikuar pamje nga takimi me studentët, të cilët i cilëson si të rinj që “besojnë te protesta, jo te gurët”. Kryeministri bëri të ditur se me ta kishte rënë dakord që, të paktën për momentin, të mos publikohej debati, por vetëm pamjet nga takimi.
Në reagimin e tij, Rama falënderoi gjithashtu Sara Bodon, duke vlerësuar punën e saj në drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, të cilën e përshkroi si një magnet për vajza dhe djem, pa dallim bindjesh.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, një pjesë tjetër e studentëve kanë zgjedhur të mos largohen nga sheshi, duke vijuar protestën dhe qëndrimin e tyre. Sot u shënua dita e 175-të e protestës. Të rinjtë, por edhe qytetarë të tjerë u mblodhën para Ministrisë së Arsimit dhe më pas marshuan në rrugët e kryeqytetit, për të mbërritur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë. Protesta vijoi e qetë dhe pa përplasje, ndërsa i vetmi incident ishte djegia e një kazani mbeturinash.
Dhe pikërisht djegia e kazanëve të plehrave është bërë tanimë një ritual i çdo proteste. Absurditet fund e krye në aspektin e aksionit demonstrativ, por gjithashtu edhe rrezik për shëndetin e qytetarëve nga djegia plastikës e cila është toksike dhe e provuar si kancerogjene.
Kështu, lëvizja studentore që nisi me kërkesa dhe protesta të përbashkëta po shfaqet tashmë në tre drejtime: organizimi në një lëvizje të re, me shumë gjasa parti politike, dialogu me kryeministrin dhe vijimi i protestës në shesh nga një pakicë siç edhe po provohet ditë pas dite.
Kthimi i lëvizjes studentore në një parti politike mund të jetë zhvillimi që Partia Socialiste dhe Partia Demokratike e presin me më shumë interes. Në një skenë politike të dominuar prej vitesh nga Edi Rama dhe Sali Berisha, lindja e një force të re politike, në vend që të përbëjë automatikisht një kërcënim për dy partitë e mëdha, mund të kthehet në një mundësi për to.
Rama dhe Berisha mund të jenë dy përfituesit më të mëdhenj të kësaj përçarjeje. Të dy kanë një avantazh të konsoliduar elektoral, strukturor dhe organizativ, ndërsa një lëvizje e re studentore do të duhet ta ndërtojë nga e para besimin, organizimin dhe përfaqësimin e saj politik.
Në një sistem ku PS dhe PD kanë përcaktuar prej kohësh rregullat e lojës, dy liderët kryesorë rrezikojnë të mbeten sërish në rolin e lojtarëve dhe të arbitrit të një gare ku kundërshtari i ri hyn pa përvojë dhe pa infrastrukturën e nevojshme.
Me zgjedhjet vendore të 9 majit që po afrojnë, një lëvizje studentore e fragmentuar, e përfshirë në garën partiake dhe pa një strategji të qartë afatgjatë, mund të përballet me vështirësi serioze për të mbijetuar politikisht. Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi, një lëvizje që lind si revoltë kundër sistemit mund të përfundojë duke i dhënë më shumë hapësirë sistemit që kërkon të ndryshojë.
Ndoshta në naivitet të plotë, studentët me idenë e nxituar që të krijojnë një parti, zbehin frymën e protestës dhe kështu bëhen pjesë e një loje politike ku rregullat dhe avantazhet janë përcaktuar prej kohësh nga Rama dhe Berisha. Jo më kot, mes të dyve ka dakordësi edhe për ndryshimet e pritshme të Kodit Zgjedhor, por edhe të vetë ligjit themeltar të shtetit, Kushtetutës.
©Shqip.com