Lajme

Nga 20 gushti s’lejohet të hyni në qendra tregtare dhe klube të natës pa u vaksinuar

Nga 20 gushti qytetarët të cilët nuk e kanë marrë të paktën një doza të vaksinës kundër Coronavirusit nuk do të lejohen të marrin pjesë në aktivitete shoqërore, qoftë qendra tregtare, klube të natës apo edhe në ahengje familjare.

Lajmin e ka bërë të ditur Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, përmes një njoftimi në Facebook, përcjell Shqip.com.

Në njoftim bëhet e ditur se vendimi është marrë të premten nga ministri i Shëndetësisë dhe drejtori i departamentit të sallave të dasmave pranë OHT-së, Driton Hoti.

“Çdo qytetar i Kosovës në mënyrë që të marë pjesë në çdo aktivitet shoqërorë, qoftë qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare obligohet që të marë vaksinën anti-covid, sepse nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet”, thuhet në njoftimin për media.

Ndërsa, OHT-ja njofton se sa i përket stafit punues të këtyre sektorëve, obligohen që deri më datë 12 gusht të përfundojnë të paktën dozën e parë të vaksinimit.

“Gjithashtu sa i përket orarit të klubeve të natës u bisedua që të ketë zgjatje pra këto aktivitete të fillojnë nga ora 23:00 deri në ora 03:00 pas mesnate. Këto vendime priten të hynë në fuqi me datë 11.08.2021”./SHQIP.com