Lajme Botë

Netanyahu synon kthimin në pushtet përmes zgjedhjeve të reja

Më 1 nëntor, Izraeli mban zgjedhjet e pesta në më pak se katër vjet.

Të përfshirë në një cikël zgjedhjesh prej vitit 2019, votuesit shpresojnë që këtë herë do t’i japin fund bllokadës politike në këtë shtet.

Ish-kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, synon të rikthehet në pushtet, por nuk dihet nëse do t’ia dale, raporton Radio Evropa e Lirë.

Rivali i tij kryesor është kryeministri aktual i qendrës, Yair Lapid. Partia Likud e Netanyahut, me qasje të krahut të djathtë, pritet të fitojë numrin më të madh të ulëseve në Parlament.

Me mbështetjen e partive të djathta dhe fraksioneve ekstreme fetare, Netanyahu, 73-vjeçar, ka mundësi të sigurojë edhe shumicën.

Megjithatë në katër proceset e fundit zgjedhore, Netanyahu nuk ka arritur të krijojë koalicion e djathtë që ka synuar.

/Shqip.com