Lajme

Nesër rivarrosen mbetjet mortore të shtatë viktimave të Masakrës së Krushës së Vogël

Krusha e Vogël

Me 26 mars 2022, ditë e shtunë, pritet rivarrosja e shtatë viktimave të luftës, nga Masakra e Krushës së Vogël, me kërkesë rë familjeve dhe me përkrahjen e institucioneve.

Ceremonia e varrimit pritet të filloi nga ora 12:00, në Kompleksin e Varrezave të Martirëve në fshatin Krushë e Vogël, Komuna e Prizrenit.

“Procedurat administrative të dorëzimit të mbetjeve mortore të të shtatë viktimave të luftës, që ishin në Listën e Personave të Zhdukur janë kryer sot në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Familjarët e personave të identifikuar u pritën në takim nga përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, zv.Drejtori i Përgjithshëm dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësues të EULEX-it dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq”, thuhet në njoftim.

Tutje është bërë e ditur se gjatë takimit familjarët u njoftuan për angazhimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur dhunshëm nga lufta në Kosovë, duke vënë theksin edhe në punën që aktualisht është duke u realizuar në procesin e ri-inventarizimit  të mbetjeve mortore të paidentifikuara deri më tani.

Forcat serbe në këtë fshat hynë më 25 mars dhe filluan me djegien e shtëpive. Nëntë burra që nuk i lëshuan shtëpitë, u vranë po atë ditë ndërsa të plagosurit u vranë gjatë ikjes. Vetëm gjashtë burra arritën t’i shpëtojnë kësaj tragjedie.

Më 26 mars të vitit 2014 u kthyen në vendin e tyre 45 kufoma, në përvjetorin e 15-të të rënies. Meqë shumica e burrave të këtij fshati u eliminuan, gratë e Krushës së Vogël janë të njohura në Kosovë për punën e tyre me përpunimin e perimeve, paketimin dhe shitjen e produkteve që rrisin nga toka e fshatit. /Shqip.com