OP-ED Analiza

Nëse bie Gjykata Kushtetuese

Edvin Kulluri
Edvin Kulluri

Publikuar:

Dy ditë më parë, Holta Zaçaj, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, në një intervistë për një të përditshme është shprehur tekstualisht se “moszbatimi i vendimit të GJK për mandatin e ish-ministers Olta Xhaçka është një situatë e pazakontë dhe e pamendueshme në një sistem demokratik”. Ky konstatim është një nga ato sentencat e rënda të 33 viteve pluralizëm të lodhshëm deri në rraskapitje. Ose e thënë ndryshe, një nga pikat më të ulëta të cënimit të sistemit demokratik. Për më tepër në një vend që kemi parë e dëgjuar lloj-lloj marrëzish të paktën që nga viti 1996. Por pas miratimit të Kushtetutës së vitit 1998, shpresa se nga rrumpalla e viteve të para të demokracisë, do kalohej në një stabilitet institucional, ka qenë jo vetëm një mundësi, por edhe realitet në momente të caktuara.

Ajo ç’ka e bën të rëndë këtë deklaratë është dhe fakti se pas 33 vitesh kthehemi sërish në të njëjtën pikë. Dhe prej kujt? Partisë Socialiste që miratoi atë Kushtetutë, e më keq akoma që drejtohet nga Rama, ish-kundërshtar i ashpër i arbitraritetit të PD dhe Berishës në vitet 1992-1997. E nëse cështja do kufizohej vetëm në rastin Xhaçka, mund ta konsiderojmë dhe një “incident të izoluar”. Por jo. Sepse dy vendimet e GJK në lidhje me sistemin zgjedhor të shtyjnë drejt përfundimit se kjo është një trajektore e qartë dhe jo thjeshtë një “incident kushtetues”.

Është një vijë sjellje politike e qartë dhe e përcaktuar politikisht. Dhe nuk ka rëndësi as momenti tejet i vështirë me të cilin mazhoranca po përballet me SPAK. Tek e fundit kjo situatë është një moment politik, që në fund të ditës nuk mundet e as duhet të cënojë rendin Kushtetues. Sepse rendi Kushtetues qëndron mbi mazhorancën, opozitën e aq më shumë mbi personat politikë kushdo qofshin ata.

Nëse themi që liritë dhe të drejtat e individit garantohen nga Kushtetuta dhe ligji, deklarata e Holta Zaçes është një ulërimë që duhet të shkundë institucionet, partitë, mediat dhe në tërësinë e vetë shoqerinë.

Por praktikisht çfarë ndodh? Ca e kanë mëndjen tek “dardhat”, ca tek “ballkoni”, e të tjerët kush e di se ku! Dhe absurdi i sjelljes së aktorëve politikë arrin deri aty sa t’i quajnë 2 vendimet e GJK për sistemin zgjedhor si “hall i partive të vogla”. Por ama, po ata që mburren për demokraci, progres, luftë me regjimin etj., janë fshehur pas retorikave të kota e intrigave politike të momentit duke përdhosur “kontratën sociale”, ose dokumentin themeltar të shtetit që na mban bashkë në të njëjtën shoqëri Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Të vetmen garanci që ndan arbitraritetin nga liria, ligjin nga gjendja natyrore e kaosit, civilizimin nga barbaria. Po, po. Civilizimin nga barbaria. Sepse shkelja e hapur e Kushtetutës nuk është gjë tjetër veçse një gjuhë barbare politiko-juridike ndaj thelbit demokratik të sistemit. Ndarjes së pushteteve si garancia kryesore që qeveria apo individë fuqishëm mos t’u kërcejnë mbi kurriz qytetarëve kur e si të duan.

Që ndryshimet e vitit 2008 e dobësuan kontrollin e pushteteve është e qartë. Që Kodi Zgjedhor i po atij viti i vuri dërrmën më keq akoma sistemit demokratik është një aksiomë. Çështja është se nuk ka asnjë reagim përveçse nga Partia Demokratike dhe një dyzinë partish të vogla parlamentare dhe jo-parlamentare. Jo se kjo mjafton, pasi listat e hapura janë vetëm njëri nga mekanizmat për të na kthyer drejt normalizimit demokratik. Centralizimi i pushtetit duhet goditur që nga rishpikja e Parlamentit dhe Presidentit e deri tek një reformim themelor i qeverisjes vendore, aty ku njerëzit e prekin drejtpërdrejtë materializimin e vullnetit të tyre të lirë. Por të paktën kjo përpjekje është një pikënisje të cilën dy kryetarë partish e nja gjashtë deputetë listash të mbyllura, duan ta varrosin me një shpikje alla shqiptare: nënkomision reformash për ligje me shumicë të cilësuar. E për t’i vënë kapakun përpjekjes për të mbytur lirine, i këpusin dhe një dashuri në kohërat e kolerës Rama-Berisha që as Erjon Braçe e Çim Peka nuk po e ftillojnë dot.

Emri i Holta Zaçes mbase publikut nuk i thotë gjë pasi Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese nuk është as rock star e as banore e Big Brother e aq më pak Armando Broja.

Por një gjë është e sigurt. Është njeriu që qëndron në majën e garancive kushtetuese të sistemit demokratik. Ndaj duhet dëgjuar me dhimbje se ç’alarm ka ngritur pavarësisht nga normaliteti i fjalorit që ka përdorur. Pasi në atë intervistë vetëm normalitet nuk ka, por një këmbanë alarmi që po nuk u dëgjua do vërë poshtë ekuilibrat politikë dhe social të një vendi që “greminat” i njeh mirë. Pikërisht për faj të vetë shqiptarëve, e jo partnerëve të huaj që na kanë zënë për bishti e na kanë tërhequr bash kur kemi qenë duke rënë poshtë. Sa për kujtesë në 1997 diktaura komuniste për pak sa na u duk si një kohë e paqtë. Ndaj dallimi mes Holtës dhe Oltës është më shumë se dramatik.

/Shqip.com