Ekonomi

Nënshkruhet marrëveshja prej 38 milionë euro për rehabilitimin e rrjetit hekurudhor

Ministria e Financave ka nënshkruar marrëveshje në vlerë të 38 milionë euro për rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10 në Kosovë me  Udhëheqësin i Operacioneve të Bankës Evropiane për Investime për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, z. Matteo Rivellini.

Sipas njoftimit të MFPT-së thuhet se ky projekt pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në rritjen e shpejtësisë së udhëtimit.

“Marrëveshja në vlerë prej 38 milionë euro synon rehabilitimin e 139 km të linjës hekurudhore, përkatësisht në sinjalistikë dhe telekomunikacion. Ky projekt pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në rritjen e shpejtësisë së udhëtimit dhe ngritjen e kapaciteteve për pasagjerë dhe mallra. Gjithashtu, investimet në linjën hekurudhore pritet të çojnë në një zhvendosje modale nga transporti rrugor në atë hekurudhor, si dhe të kontribuojnë në ndërlidhjen dhe integrimin e transportit rajonal në Korridorin Orient/Lindje-Mesdhe”, thuhet në njoftimin e MFPT-së.

Tutje, thuhet se projekti veçse ka një financim të siguruar, por marrëveshja vetëm sa e rritë këtë siguri.

“Projekti veçse ka financim të siguruar, në vlerë mbi 137 milionë euro, nga të cilat rreth 56 milionë janë grant nga Korniza Investive e Ballkanit Perëndimor, ndërsa kjo marrëveshje e ngrit financimin e siguruar për këtë projekt në mbi 175 milionë euro”.

Krahas kësaj thuhet se Rivellini shprehu përkushtimin e BEI-së në promovimin e integrimit rajonal, duke thënë se “krijimi i infrastrukturës moderne, të qëndrueshme dhe efikase të transportit është një parakusht për marrëdhënie më të forta ekonomike dhe kushte më të mira jetese”.

/Shqip.com