Lajme

Nënshkruhet deklarata për themelimin e komisionit Ad-hoc për reformën zgjedhore

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka bërë të ditur se kanë mbajtur takim konstitutiv për formimin e Komisionit Ad-hoc për reformën zgjedhore.

Përmes një postimi në rrjetin social, Konjufca ka thënë se partitë politike u pajtuan për formulën e përbashkët të komisionit.

‘’Pas një pune intensive dhe takimeve të shumta, partitë politike u pajtuan për formulën e përbashkët të komisionit’’ ka shkruar Konjufca.

Po ashtu në këtë takim u përmend gjithashtu që krahas këtij komisioni të themelohet edhe Grupi Këshillëdhënës i cili do të përbëhet nga përfaqësues të shoqërisë civile të Kosovës që janë marrë me reformën zgjedhore, BE-së, OSBE-së.

Pjesë e këtij takimi ishin Mimoza Kusari-Lila nga Lëvizja Vetëvendsoje, Besnik Tahiri nga AAK-ja, Armend Zemaj nga LDK-ja dhe Abelard Tahiri nga PDK-ja./Shqip.com