Lajme

Nënshkrimet për tërheqjen e Trustit dorëzohen sot në Kuvend

Trusti

Organizatorët e peticionit për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit sot do të dorëzojnë në Kuvendin e Kosovës nënshkrimet e mbledhura në të gjitha komunat e Kosovës përmes së cilave kërkojnë të bindin ligjvënësit që t’ju plotësohet kjo kërkesë.

Lajmi për SHQIP.com është konfirmuar nga organizatori i peticionit, Adnan Jashari, i cili tha se bashkë me deputetin, Bekim Haxhiu do t’i dërgojnë nënshkrimet në Kuvend.

“Unë si iniciator i Peticionit dhe disa prek vullnetareve që na kanë ndihmu në mbledhjen e nënshkrimeve në qytetet tjera të Kosovës do t’i dorëzojmë në Kuvend. Do të jetë edhe deputeti Haxhiu.

Ai tha se të njëjtit do të priten edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili personalisht por edhe partia që përfaqëson është kundër një tërheqjeje të dytë të Trustit.

Në seancën parlamentare të 23 qershorit pas një debati të ashpër ndërmjet pozitës dhe opozitës, nuk kaloi projektligji që mundëson tërheqjen e një përqindje të caktuar nga Trusti.

Nga 102 deputetë të pranishëm në sallë, 44 patën votuar “për”, 57 “kundër” dhe 1 “abstenim”.

Qeveria dhe mazhoranca në Kuvend të Kosovës nuk e kanë mbështetur projektligjin në fjalë për tërheqjen e 10 deri 30 për qind të mjeteve, ku iniciues i kësaj nisme ligjore, ishte deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu./SHQIP.com