Lajme

Nënkryetari i PDK-së në Pejë: Vrasja e dyfishtë nuk ka lidhje me politikë

Nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në Pejë

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në Pejë, Muhamet Haliti, ka thënë se vrasja e kandidatit të kësaj partie për kryetar komune, Astrit Ademaj, dhe ish-kandidatit për kryetar të Deçanit, Blerand Kadrijaj, në mbrëmjen e së mërkurës nuk ka të bëjë me politikë, përcjell Shqip.com.

Sipas tij, deri në informatat e deritashme, ngjarja nuk ka asnjë lidhje politike apo partiake, teksa kërkoi nga organet e drejtësisë ta zbardhin sa më parë këtë ngjarje tragjike.

“Së pari iu shprehim ngushëllime të sinqerta familjeve të Astritit e Blerandit. Nga ato që dihen deri tash, kjo ngjarje tragjike nuk ka asnjë lidhje me politikë apo me zgjedhje. Kërkojmë që organet e drejtësisë ta zbardhin sa më parë këtë ngjarje tragjike”, ka thënë Haliti për KP.

Ndërkaq, në një konferencë për media, zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se për shkak të ndjeshmërisë së rastit, duhet të jenë të rezervuar dhe mos të japin asnjë informatë deri në përfundimin e hetimeve.

Lexo edhe:
Prokuroria nuk jep detaje për motivin e vrasjes së dyfishtë në Pejë

Ndryshe, në mbrëmjen e së mërkurës, në Pejë, mbetën të vdekur Blerand Kadrijaj dhe Astrit Ademaj, si dhe i plagosur mbeti vëllau i këtij të fundit, Avni Ademaj./Shqip.com