Sport Shqiptar

Nedim Bajrami kërkohet nga skuadra e madhe evropiane

Nedim Bajrami nuk është duke zhvilluar sezonin më të mirë të mundshëm me Empolin në këtë sezon duke mos pasur vazhdimësinë e duhur. Megjithatë, kur zbret në fushë, fantazisti kuqezi di si t’i krijojë probleme rivalit në defensivë. Së fundmi këtë e provoi Interi që humbi ndeshjen e fundit të kampionatit me një gol që u krijua nga 23-vjeçari.

Fantazisti është përfolur gjithnjë si një nga lojtarët që mund t’i largohen Empolit në janar. Kërkesat janë të shumta nga Italia dhe jo vetëm, pasi së fundmi në skenë ka dalë edhe Valencia në La Ligan spanjolle. Skuadra që drejtohet nga Gattuso pretendon të shtojë krijimtarinë në fushë dhe Bajrami duket i duhuri për afatin kalimtar të janarit. Gjithsesi, Empoli nuk ka ndërmend të hapë rrugë teksa mundësia e vetme që mesfushori shqiptar të largohet nga Italia është vetëm nëse mbërrin një ofertë që kënaq interesat financiare të italianëve.

Bajrami ka një kontratë deri në vitin 2024 me Empolin dhe e ardhmja e tij varet tërësisht nga klubi. Megjithatë toskanët nuk heqin dorë lehtësisht nga “xhevahiri” i organikës. Kujtojmë se Bajrami iu bashkua Empolit nga Grasshoppers në vitin 2020 ndërsa me kalimin e kohës është shndërruar në një lider për skuadrën italiane.

/Shqip.com