Në prag të takimit në Bruksel, Kurti takohet me shefin e zyrës së BE-së dhe ambasadorët e QUINT-it

Sot gjatë ditës së marte, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.
Përmes një njoftimi për media nga zyra e kryeministrit thuhet se në këtë takim është biseduar për takimet e ardhshme në Bruksel si dhe proceset tjera që lidhen me dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Gjatë takimit u theksua përkushtimi për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë. U bisedua për takimet e ardhshme në Bruksel si dhe proceset e çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e ZK-së,
Tutje, në njoftim thuhet se ne takim ka qenë i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq më 18 gusht pritet të takohen në Bruksel.
Ky takim që është i treti më radhë që nga ardhja në pushtet e Kurtit, vjen pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës si rezultat i vendosjes së masave të reciprocitetit nga qeveria kosovare.
Për këtë takim, ndoshta të shumëpritur, Bashkimi Evropian ka zgjedhur të tregohet më i rezervuar.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme(BE), Peter Stano, tha për Shqip.com se agjendën e takimit do ta bëjnë publike pak ditë para 18 gushtit.
E sa i përket temave të cilat do të diskutohen, disa prej të cilave janë aluduar në media, Stano tha se “nuk i komentojnë spekulimet e mediave”.
Në takim do të jetë i pranishëm edhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Lexo edhe:
Cila marrëveshje është afër nënshkrimit dhe çfarë pret Escobar nga takimi i 18 gushtit?
Kurti dhe Vuçiq më një gusht kanë marrë ftesë nga BE-ja për vazhdimin e dialogut.
Pas pranimit nga Kosova të kërkesës së Borrell-it dhe ShBA-së për të shtyrë masat e reciprocitet me kusht që të hiqen të gjitha barrikadat në veri, BE-ja ftoi të dyja palët të takohen në Bruksel për të diskutuar për më tutje rreth integrimit evropian në BE.
Vuçiq ka thënë se “do të shkojë në Bruksel për vazhdim të dialogut me Prishtinën”, por shtoi se nuk pret asgjë nga ato bisedime për shkak të qëndrimeve të Kurtit.
Lexo edhe:
Vuçiqi pranon takimin në Bruksel në fund të gushtit: S’pres asgjë nga Kurti
Theksojmë se takimi i 19 korrikut mes Kurtit dhe Vuçiq ishte anuluar nga pala serbe.
Presidenti serb i kishte dhënë përparësi takimit me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah Saeed Hussein.
Ndryshe, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë.
Takimi i tyre i fundit është zhvilluar në korrik të vitit 2021./Shqip.com