Lajme

Vuçiqi pranon takimin në Bruksel në fund të gushtit: S’pres asgjë nga Kurti

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq  ka thënë se “do të shkojë në Bruksel për vazhdim të dialogut me Prishtinën”, por shtoi se nuk pret asgjë nga ato bisedime për shkak të qëndrimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Sipas Vuçiqit, Serbia ka kaluar dy ditë të vështira, pas tensioneve në veri të Kosovës.

“Kam frikë se do të kalojmë edhe shumë ditë të vështira”, tha ai.

“Thelbi i problemit është se disa në rajon mendojnë se kur ka histeri të përgjithshme për luftën në Ukrainë, ata mund të realizojnë interesat e tyre”, u shpreh Vuçiqi për RTS-në transmeton N1.

Takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi

Mediat serbe kanë raportuar se takimi do të ndodhë më 18 gusht.

Theksojmë se Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Peter Stano, gjatë një konference për media të hëhën, ka thënë se shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka kërkuar që të shtyheshin masat për targat dhe kartat e identitetit dhe të takoheshin ndërkohë në Bruksel për të diskutuar një rrugë përpara. “Ky propozim u mbështet plotësisht nga SHBA”.

Lexo edhe:
BE-ja fton Kurtin e Vuçiqin në Bruksel, thotë se po e përcjell me shqetësim situatën në veri

Stano ka konfirmuar se Borrell ka ftuar në një takim në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai tha se “do të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve”./Shqip.com