Lajme

Në Klinikën e Kardiokirurgjisë zhvillohet operacioni më i madh i regjistruar deri më tani

Në klinikën e kardiokirurgjisë është zhvilluar një intervenim që po cilësohet si më i madhi deri më tani.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga ana e kardio-kirurgit Ramë Alaj.

“Gjatë kësaj jave në klinikën e kardiokirurgjisë kam operuar një pacient në moshë shumë të re (viti: 1991) me dg. Acute Aortic Dissection et Aortic Valve Regurgitation (ҫarje e arotës rreth 9 cm), më e madhja e regjistruar deri më tani në klinikën tone” ka shkruar Alaj.

Sipas Alaj ky operacion është realizuar me sukses falë punës ekipore.

“Kjo falë punës ekipore intraoperative dhe postoperative me: Dr. Shpejtim Shurdhiqi, Dr. Leonard Bytyqi, Dr. Ngadhnjim Arifi, Dr. Erblin Beqiraj, anestesion: Dr. Dafina Matoshi, Dr. Doruntina Bunjaku, perfusion: Genc Tasholli, Shyqyri Hoxha, ins. Edonesa” ka shkruar më tutje Alaj.

Klinika e kardiokirurgjisë

Ai është shprehur se ky postim nuk është për të treguar punën e tyre rutinë por për të ngritur vetëdijen te qytetarët.

“Po e bëjë këtë postim jo për të treguar punën tonë rutinë, po për shkak të vetëdijesimit të pacientëve dhe kolegëve tanë, që mos ta anashkalojmë një sëmundje të tillë vrastare me një vdekshmëri 1-2% në orë dhe 50% në 48 orë e që haset në 3.5 raste në 100.000 banor” ka thënë Alaj.

Ai ka kërkuar që të mos nënçmohen dhembjet e gjoksit./Shqip.com