Lajme

Në Iran publikohen fotot e hakerëve që sulmuan Shqipërinë

Një media iraniane ka publikuar fotot e 4 personave që thuhet se janë përgjegjës për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.

Sipas mediumit Iran International ata janë autorët të disa sulmeve kibernetike globale, të cilët janë të lidhur me agjenci të ndryshme të inteligjencës qeveritare në Teheran.

Rasti më i fundit i një sulmi kibernetik shkatërrues që iu atribuohet operativëve të inteligjencës iraniane ishte një ndërhyrje e hakerëve në sistemet kompjuterike të qeverisë shqiptare që filloi në vitin 2021 dhe përfundoi me një ndërprerje masive në korrik, sipas hetimeve të sigurisë të Microsoft.

Po ashtu është bërë e ditur se pas më shumë se 24 orësh nga sulmi kibernetik i Iranit, sistemi TIMS në aeroportin e Rinasit në Shqipëri është rikthyer në normalitet duke shmangur kështu radhët dhe vonesat në identifikimin e qytetarëve.

Lexo edhe:
Sulmohet faqja e Policisë së Shtetit, lëvizja e qytetarëve në pikat kufitare po vazhdon

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një video live ditë më parë njoftoi se Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin si shkak i sulmeve kibernetike që Irani ka kryer mbi Qeverinë Shqiptare gjatë korrikut. 

Shqipëria me 15 korrik ka përjetuar sulmin më të madh kibernetikë në historinë e saj, i cili paralizoi të gjitha faqet qeveritare, përfshirë platformën e shërbimeve online e-Albania, përmes së cilës qytetarët pajisen me shumicën e dokumenteve.

Lexo edhe:
Rikthehet sistemi TIMS në pikat kufitare të Shqipërisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dënuar sulmin kibernetikë të Iranit ndaj Shqipërisë.

Lexo edhe:
SHBA-ja dënon sulmin e Iranit ndaj Shqipërisë

Në një reagim zyrtar, administrata e SHBA-së ka thënë se i bashkohen thirrjes së kryeministrit shqiptar që Irani të mbajë përgjegjësi për veprimet e tyre./Shqip.com