Lajme

Në Bondsteel falet Namazi i Xhumasë për herë të parë

Foto e ilustruar

Refugjatët afganë të cilët janë strehuar përkohësisht në Kosovë, e të cilët po qëndrojnë në kampin ushtarak amerikan “Bondsteel”, të premten e kanë falur Namazin e Xhumasë.

Për herë të parë në këtë kamp është organizuar falja e Xhumasë, të cilën ceremoni e ka drejtuar hoxha Labinot Maliqi.

“Sot isha vërtetë i privilegjuar nga ushtria e ShBA-ve për të mbajtur hutben dhe për të falur për herë të parë namazin e xhumasë në kampin Bondsteel, së bashku me refugjatët afganë”, ka shkruar Maliqi në Facebook.

“Ishte po ashtu nderë për mua të takoj dhe bisedoj nga afër me besimtarët afganë, të cilët u shprehën të kënaqur me kushtet e ofruara nga ushtria amerikane, edhe sa i përket fjetjes, ushqimit, pastrimit, vendeve të dedikuara për faljen e namazit dhe pjesëve të tjera atraktive për lojëra të ndryshme”.

Lexo edhe:
Sveçla tregon pse po mbahen të mbyllur afganët të cilët po strehohen në Kosovë

Kosova deri më tash ka strehuar mbi 400 afganë, të cilët janë kryesisht persona që kanë punuar në cilësi të ndryshme për ushtrinë amerikane si dhe forcat tjera aleate të NATO-s, dhe kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit.

Këta afganë janë larguar nga Afganistani pasi ekziston rreziku që “do të persekutohen” nga talebanët, të cilët e morën pushtetin muajin e shkuar.

Kosova ka aprovuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për strehim të përkohshëm të afganëve./SHQIP.com