Lajme

Sveçla tregon pse po mbahen të mbyllur afganët të cilët po strehohen në Kosovë

Punëtorët duke vendosur tendat për ardhjen e afganëve

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka treguar se pse refugjatët afganë po mbahen të mbyllur. Sipas tij kjo është për shkak të procedurave deri në furnizimin e tyre me dokumentet e nevojshme, por edhe për siguri, momentalisht ata janë të lirë të lëvizin vetëm brenda kampit.

Rreth 700 afganë që u sollën në Kosovë, për një kohë të pacaktuar do të mbesin të izoluar, ku shumica do të jenë në kampin e “Bechtel Enkas” dhe pjesa tjetër në kampin e ushtrisë amerikane, Boondsteel, në Ferizaj, përcjell Shqip.com.

“Për shkak të rrethanave në të cilat vendi ynë gjendet, për shkak të proceduarave deri në furnizimin e tyre me dokumentet e nevojshme, por edhe për shkak të pandemisë dhe sigurisë, momentalisht ata janë të lirë të qarkullojnë brenda komplekseve ku janë të vendosur. Ditëve në vijmë ne do të përgatitemi që t’ua mundësojmë edhe lirinë e lëvizjes”, tha Sveçla për Radio Evropa e Lirë

Ai shtoi se ata mund të lëvizin me ndonjë asistencë vetëm në raste të veçanta.

“Për arsye emergjente ata mund të lëvizin apo ne mund t’i asistojmë, por aktualisht për shkak të rrethanave, ata duhet të qëndrojnë brenda komplekseve ku janë”, tha ai.

Afganët të cilët po qëndrojnë në Kosovë, janë kryesisht persona që kanë punuar në cilësi të ndryshme për ushtrinë amerikane si dhe forcat tjera aleate të NATO-së, dhe kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit.

Këta afganë janë larguar nga Afganistani pasi ekziston rreziku që “do të persekutohen” nga talebanët, të cilët e morën pushtetin muajin e shkuar.

Kosova ka aprovuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për strehim të përkohshëm të afganëvë. /Shqip.com