Lajme

Ndryshohet testi i arritshmërisë për klasat e 9-ta, nxënësit do t’i përgjigjen 200 pyetjeve

Fotografia ilustruese
Fotografia ilustruese

Testi i arritshmërisë për klasat e 9-ta këtë vit ka ndryshuar ku do të organizohet në dy ditë dhe nxënësit do t’i përgjigjen 200 pyetjeve.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në një përgjigje për Shqip.com, ka treguar se qëllimi i këtij ndryshimit është që të mund të fokusohen pak më shumë në vlerësimin e njohurive dhe shkathtësive të nxënësve nga të gjitha lëndët relevante

“Në ditën e parë do të jetë testi nga gjuha shqipe, angleze, historia dhe gjeografia, ndërkaq në ditën e dytë, do të jetë testi nga matematika, fizika, informatika, kimia dhe biologjia. Qëllimi i këtij ndryshimi është që të mund të fokusohemi pak më shumë në vlerësimin e njohurive dhe shkathtësive të nxënësve nga të gjitha lëndët relevante dhe jo të shkojmë me një numër të vogël pyetjesh”, kanë bërë të ditur nga MASHTI.

Nga MASHTI gjithashtu kanë bërë të ditur se testi i parë do të jetë më 4 qershor, ndërsa i dyti më 14 qershor.

“Ditën e testimit të gjithë nxënësit duhet të marrin me vete laps, meqë përgjigjet do të lexohen në mënyrë automatike nga lexuesi optik. Nxënësit e kanë të ndaluar të marrin me vete telefon, apo cka do qoftë që mund të përdoret për komunikim, qasje në internet, fotografim, kopjim, shpërndarje apo për ndihmë tjetër gjatë mbajtjes së Testit. Kushdo që merr me vete pajisje apo mjete të tilla nuk do të lejohet të futet në Qendrën e Testimit”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-it për Shqip.com

Sipas MASHTI-it 24 mijë nxënës do ti nënshtrohen këtij testi dhe janë komisionet në qendrat e testimit që do ta monitorojnë të gjithë testin edhe koordinatorët e shkollave./Shqip.com