Lajme

Ndërpritet vaksinimi në sallën “1 tetori” në Prishtinë për shkak të telasheve me sistem

Salla e Vaksinimit, Prishtinë.

Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë është ndërprerë përkohësisht dhënia e vaksinave këtë të shtunë.

Qytetarëve që janë paraqitur për t’u vaksinuar mëngjesin e së shtunës aty, u është thënë se ka problem në sistem.

Megjithatë, menaxheri i kësaj qendre të vaksinimit, Niman Bardhi ka thënë se procesi i vaksinimit është duke vazhduar, përkundër problemeve.

“Përkundër problemit me sistemin, procesi i vaksinimit është duke vazhduar, jemi duke bërë regjistrimin e qytetarëve në librat e protokollit, ku më pas do të futen të dhënat në sistem sapo të funksionalizohet”, ka thënë Bardhi.

Menaxheri i qendrës së vaksinimit “1 tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi

Procesi i vaksinimit në Kosovë ka filluar në mars. Që nga atëherë, janë administruar 1 milion e 640 mijë e 380 vaksina. Me dozën e dytë të vaksinës janë vaksinuar 770 mijë e 941 qytetarë.

Nga e enjtja e 9 dhjetorit në Kosovë ka nisur administrimi i dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër Coronavirusit.

Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë.

Ndërsa, doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese me rekomandim të mjekut ordinues. Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë./SHQIP.com