Lajme

Ndalohen dy persona në Novobërdë për keqpërdorim të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve

Policia e Kosovës/Ilustrim

Dy persona janë ndaluar në Komunën e Novobërdës pasi dyshohen për keqpërdorim të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve.

Të arrestuar janë ish-drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, T.S. dhe pronari i një kompanie që merrej me furnizim të Qendrave Mjekësore me barna, A.R..

Policia bën të ditur se të njëjtit janë arrestuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas hetimeve disamujore.

Sipas policisë, kompania private e të dyshuarit A.R., me seli në Prishtinë, nuk i ka furnizuar Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare të komunës së Novobërdës me barna dhe produkte tjera medicinale, por ka lëshuar fatura fiktive se kinse i ka furnizuar të njëjtat.

“Gjatë hetimeve të zhvilluara janë siguruar dëshmi (fatura) të cilat krijojnë dyshime se kompania e lartshënuar kinse ka furnizuar QKMF-të e Novobërdës me produkte medicinale në vlerë prej 2,000.00 (dymijë) €, e që në fakt këto furnizime (fatura të siguruara) kanë qenë fiktive për të cilat janë mare paratë nga Drejtoria e Shëndetësisë në komunën e Novobërdës, por për to asnjëherë nuk ishin pranuar barna apo produktet tjera medicinale nga QKMF-të e Novobërdës”.

Bazuar në të gjeturat e hetimit, i dyshuari T.S. në cilësinë e Drejtorit të Shëndetësisë në K.K. Novobërdë me veprimet e tij dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa pronari i kompanisë private me veprimet e tij dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Dy të dyshuarit, me aktvendim të prokurorit të shtetit, janë ndaluar për 48 orë dhe janë dërguar në qendrën e ndalimit./SHQIP.com