Lajme

NATO dënon sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë

Aleanca Veriatlantike, NATO ka reaguar lidhur me sulmin kibernetik që Republika Islamike e Iranit i ka bërë Shqipërisë.

Në reagimin e NATO-s thuhet se ata e mbështetësin Shqipërinë në forcimin e mbrojtjes së saj kibernetike për të eliminuar aktivitete të tilla.

 “Ne qëndrojmë në solidaritet me Shqipërinë pas sulmit të fundit kibernetik në infrastrukturën e saj kombëtare të informacionit. Aleatët pranojnë deklaratat e Shqipërisë dhe aleatëve të tjerë që ia atribuojnë përgjegjësinë për sulmin kibernetik Qeverisë së Iranit. Ne dënojmë fuqishëm aktivitete të tilla keqdashëse kibernetike të krijuara për të destabilizuar dhe dëmtuar sigurinë e një aleati dhe për të prishur jetën e përditshme të qytetarëve.”, thuhet në deklaratën e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Gjithashtu përmes një postimi në Twitter ka reaguar edhe kreu i aleancës, Jens Stoltenberg, i cili u shpreh se NATO është e përkushtuar të vazhdojë të rrisë sigurinë për të penguar dhe për t’u mbrojtur kundër kërcënimeve kibernetike.

“Dënoj fuqishëm sulmin e fundit kibernetik ndaj Shqipërisë, të cilin Tirana dhe aleatët e tjerë ia atribuojnë Iranit. NATO dhe ekspertët e Aleatëve po ofrojnë mbështetje. NATO është e përkushtuar të vazhdojë të rrisë sigurinë për të penguar dhe mbrojtur kundër kërcënimeve kibernetike”, shprehet Stoltenberg.

Lexo edhe:

Shqipëria ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një video live dje njoftoi se Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin si shkak i sulmeve kibernetike që Irani ka kryer mbi Qeverinë Shqiptare gjatë korrikut.  

Shqipëria me 15 korrik ka përjetuar sulmin më të madh kibernetikë në historinë e saj, i cili paralizoi të gjitha faqet qeveritare, përfshirë platformën e shërbimeve online e-Albania, përmes së cilës qytetarët pajisen me shumicën e dokumenteve.

Në njoftimin e tij, kryeministri Rama kishte deklaruar se kishte mbështetjen e NATO-s për vendimin e tij.

Ndërkohë që ambasada iraniane u boshatis sot pas ultimatumit të dhënë një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama që i la 24 orë kohë që stafi diplomatik i ambasadës së Republikës Islamike të Iranit të largohet.

Lexo edhe:
SHBA-ja dënon sulmin e Iranit ndaj Shqipërisë

Në mbështetje të Shqipërisë përveç NATO-s kanë dal edhe Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Shqip.com