Lajme

Nagavci: Po injorojnë oferta shumë më të mira sesa vitet e kaluara, arsyen e dijnë vetëm udhëheqësit e SBAShK-ut

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se SBASHKU është duke injoruar oferta më të mira sesa në vitin e kaluar.

Ajo ka thënë se arsyen për këtë e dinë vet udhëheqësit e saj.

“Për dallim nga e kaluara kur grevat i kanë ndërprerë vetëm me oferta, kësaj radhe kanë vendosur të injorojnë jo vetëm ofertat shumëfish më të mira, por edhe veprimet tashmë të ndërmarra që i afrohen shumë kërkesës së tyre. Ndërkohë, veprimet e Qeverisë Kurti jo vetëm që janë duke i arritur, por duke i tejkaluar kërkesat e SBASHK. Një pjesë menjëherë, një pjesë me reforma sistematike.

Por, kanë vendosur t’i injorojnë. Arsyen e vërtetë e dinë vetëm udhëheqësit e SBASHK-ut, por përfundimisht kjo arsye nuk ka të bëjë me realizimin e kërkesave sindikale”.

Ajo tutje ka thënë të gjitha këto SBASHKU i di, sepse ua kanë komunikuar vendimet në vazhdimësi.

“Projekt-ligjin për paga e kemi ndarë për konsultim me ta ende pa dalë në konsultim publik, përtej obligimeve ligjore që i kemi. Kërkesën e parë për takim pas nisjes së grevës e kemi bërë ne, ani që kërkesat janë të tyre. Planin afatgjatë për përmirësim të cilësisë së arsimit u’a kemi komunikuar ne, sepse asnjëherë nuk ka pasur ndonjë kërkesë prej tyre”.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari

Ajo me tej, ka bërë krahasime me vende tjera si Maqedonia, Bullgaria dhe Norvegjia.

“Para disa muajsh mësimdhënësit e Maqedonisë hynë në grevë duke kërkuar rritje të pagave. Nuk pritën që t’u plotësoheshin 100% të kërkesave, por ndërprenë grevën kur Qeveria u’a plotësoi një pjesë të kërkesave menjëherë, ndërsa u përkushtua për trajtimin e kërkesave të mbetura nëpërmjet reformave më sistematike në të ardhmen. Sindikalistët maqedonas u siguruan që, kur qeveria u’a plotësoi vetëm një pjesë të kërkesave të tyre, mësimi të vazhdojë e nxënësit të mos pësojnë.

Në Norvegji, nga qershori mësimdhënësit janë duke kërkuar rritje të pagave, nëpërmjet grevës. Por, tre sindikatat më të mëdha me short përcaktojnë nga 2-3 mësues në shkollë që do të mbajnë grevë në ditët përkatëse. Sepse, sindikalistët norvegjezë sigurohen që, paralelisht me trajtimin e kërkesave të tyre, mësimi do të vazhdojë e nxënësit nuk do të pësojnë.

Para disa vitesh, mësuesit bullgarë hynë në grevë duke kërkuar dyfishim të pagave. Greva u ndërpre kur Qeveria u’a rriti pagat 48%, dhe atë vetëm 22.5% menjëherë ndërsa pjesën tjetër pas një viti. Sepse, sindikalistët bullgarë u siguruan që, kur qeveria u’a plotësoi vetëm një pjesë të kërkesave të tyre, mësimi të vazhdojë e nxënësit të mos pësojnë.

Në shumicën e rasteve tjera, grevat zgjasin disa orë ose një ditë. Sepse, qëllimi është vendosja e kërkesave të tyre në agjendë dhe trajtimi i tyre sistematik nga vendim-marrësit, e jo të gjitha dhe menjëherë. Dhe, sidomos jo dëmtimi i nxënësve”, ka shkruar ajo.

Tutje ajo i ka bërë thirrje mësimdhënësve që të vazhdojnë procesin mësimor sa më parë./SHQIP.com