Lajme

Nagavci: Janë bërë përgatitjet për fillimin e mësimit, shkollat janë të parat që duhet të hapen e të fundit që të mbyllen

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërië Nagavci, ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për kthim të sigurt të fëmijë në shkolla, njofton Shqip.com.

Lexo edhe:
Vitia: IKShPK-ja ka rekomanduar të mos fillojë mësimi në shkolla

Përmes një video-mesazhi, Nagavci është shprehur se shkollat janë institucionet e para që duhet të hapen dhe të fundit që duhet të mbyllen.

“Ministria e Arsimit bashkë me Drejtoritë e Arsimit dhe udhëheqësit e shkollave, i ka bërë të gjitha përgatitjet për kthim të sigurt të fëmijëve tanë në shkolla.

Përqindja e vaksinimit në mesin tonë duhet të jetë 100 për qind. Arsimi cilësor mund të ofrohet vetëm në shkolla, prandaj edhe shkollat janë institucionet e para që duhet të hapen dhe të fundit që duhet të mbyllen”, tha ndër tjerash Nagavci.

Lexo edhe:
SBASHK-u kundër shtyrjes së procesit mësimor, shqyrton mundësinë e mbajtjes online

Tutje, ajo kërkoi nga nxënësit që të respektojnë në përpikmëri masat e rekomanduara nga ekspertët shëndetësorë dhe se duhet një bashkëpunim mes mësimdhënësve dhe prindërve.

“Të dashur nxënës, ju lutem, repspektoni në përpikmëri masat e rekomanduara nga ekspertët shëndetësorë për t’u mbrojtur nga COVID-19. Mësimdhënës dhe prindër të nderuar, është shumë e rëndësishme bashkëpunimi në mes të gjithë neve, veçanërisht në këtë periudhë pandemie”, shtoi ajo.

Ndryshe, të mërkurën, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në raportimin para Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, tha se ekspertët e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës i kanë rekomanduar që të shtyjë fillimin e procesit mësimor.

Më 31 gusht kanë hyrë në fuqi masat anti-COVID’19, në të cilat parashihej që fillimi i vitit të ri të shtyhej deri më 13 shtator, por që këto masa janë vazhduar deri më 26 shtator.

Lidhur me shtyrjen e mësimit apo jo ende nuk ka ndonjë vendim nga Ministria e Shëndetësisë./Shqip.com