Lajme

Nagavci: Është shqetësues deklarimi nga SBASHK-u që orët e humbura të mos zëvendësohen

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka folur në një konferencë për media pas takimit me Këshillin Grevist.

Ajo tha se për shtatë ditë të javës janë rreth 580 mijë orë të humbura mësimore.

Nagavci në konferencë për media shtoi se kompetencat për caktimin e kalendarit shkollor i takojnë Ministrisë së Arsimit dhe se do të bëjnë më të mirën që të kompensohen dëmet e nxënësve.

“Deri të premten e javës së kaluar, kur ishin shtatë ditë të pa mbajtura të mësimit, mesatarisht janë diku rreth 580 mijë orë të humbura. Po besoj që pajtoheni se janë tepër shumë. Edhe për mua është tepër shqetësuese deklarimi me lehtësi se asnjë orë nuk do të zëvendësohet.

Përtej asaj që janë zgjedhur format më ekstreme të shpalljes së pakënaqësisë ose kërkesës për një vlerë, e cila faktikisht tashmë ka të bëjë me 30 euro, nuk ka të bëjë me as 100 euro. Sepse 50 euro janë ofruar nga qeveria, kërkesa ka qenë 100 euro, të tatueshme i bie që 80 euro do të ishin në kontot e mësimdhënësve. Të përmendet me kaq lehtësi që asnjë orë nuk do të zëvendësohet, kjo veç e vështirëson më shumë situatën. Natyrisht, kompetencat dhe përgjegjësia për caktimin e kalendarit shkollor i takojnë Ministrisë së Arsimit”, ka theksuar ajo.

Lexo edhe:
Kurti: Qeveria vuri në tavolinë tri oferta, nuk është në pyetje arsimi – do ta marrim vesh ditëve në vijim

Theksojmë se kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria i ka dhënë tri oferta Këshillit Grevist.

Në anën tjetër, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, është deklaruar pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Jasharaj tha nuk ka asgjë pozitive dhe se nuk është gjetur zgjidhje.

“Ne si Këshill Grevist i prezantuam kërkesat tona legjitime dhe që mediat i dinë. Ata na treguan për angazhimin që i kanë bërë dhe mund të them se takimi ishte përmbajtjesor por për momentin nuk ka ndryshime. Ne qëndrojmë me kërkesat tona”, është shprehur Jasharaj.

Kujtojmë, se nga 25 gushti, administrata publike dhe mësimdhënësit janë në grevë, pasi po kërkojnë nga 100 euro shtesë në muaj, deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Ndërsa, lidhur me këtë çështje qeveria ka ofruar nga 50 euro për 3 muaj. Shumë kjo e cila u refuzua nga grevistët./Shqip.com