Lajme

Kurti: Qeveria vuri në tavolinë tri oferta, nuk është në pyetje arsimi – do ta marrim vesh ditëve në vijim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në konferencë për media pas takimit me Këshillin Grevist.

Ai tha se ua ka paraqitur tri oferta shtesë pëveç asaj për shtesën prej 50 euro.

“Oferta shtesë ishte kjo: do të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimeve publike për ligjin për pagat. Sepse diskutimet preliminare po përfundojnë. Dy të tjerat ishin që bashkërisht me BSPK-në do ta bëjmë reformën e sistemit pensionale duke e hequr atë pragun famëkeq prej 15 vjet përvojë punë dhe u zotuam që tek barnat esenciale do të shtojnë 10 milionë euro”, ka thënë Kurti”, tha ai.

Shefi i qeverisë tha se ndonëse Këshilli i premtoi atij se do t’i diskutonte ofertat me anëtarësinë, sipas tij, menjëherë pas takimit, Rrahman Jasharaj kryetar i SBASHK-ut, tha se greva do të vazhdojë.

“Ne ua thamë edhe tri gjëra sot grevistëve, për të cilat ata neve na premtuan që do ta pyesin anëtarësinë. Por sa dolëm nga takimi deklaruan për media që greva vazhdon, kur e pyeten anëtarësinë?”, u shpreh Kurti.

Ndërsa shtoi, se kryetari i SBASHK-ut i ka kërkuar kryeminsitrit ndihmë si “vëlla”.

“Si vëlla të ndihmoj privatësisht, jo si kryeministër, Kryeministri nuk bën pazare”, u shpreh Kurti.

Ilustrim

I pari i Qeverisë shtoi se nuk është në pyetje arsimi, por se gjatë ditëve në vijim do të merret vesh gjithçka.

“Një sindikatë që i kërkon 100 euro dhe i ka marrë 50 euro, organizon festë, nuk vazhdon grevë. Në ditët e javët në vijim do ta marrim vesh se çka është në pyetje. Nuk është në pyetje arsimi, nuk janë në pyetje arsimtarët. Tha do të konsultohem me anëtarësinë dhe doli para juve”, u shpreh Kurti.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, është deklaruar pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Lexo edhe:
Përfundon takimi: S’ka marrëveshje mes Qeverisë dhe grevistëve

Jasharaj tha nuk ka asgjë pozitive dhe se nuk është gjetur zgjidhje.

“Ne si Këshill Grevist i prezantuam kërkesat tona legjitime dhe që mediat i dinë. Ata na treguan për angazhimin që i kanë bërë dhe mund të them se takimi ishte përmbajtjesor por për momentin nuk ka ndryshime. Ne qëndrojmë me kërkesat tona”, është shprehur Jasharaj.

Kujtojmë, se nga 25 gushti, administrata publike dhe mësimdhënësit janë në grevë, pasi po kërkojnë nga 100 euro shtesë në muaj, deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Ndërsa, lidhur me këtë çështje qeveria ka ofruar nga 50 euro për 3 muaj. Shumë kjo e cila u refuzua nga grevistët./Shqip.com