Lajme

Mustafa: S’isha kryeministër kur u nënshkrua marrëveshja e parë për Asociacionin në Bruksel

Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa
Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, njëherësh edhe ish-kryeministër i Kosovës, ka reaguar pas zhvillimeve të sotme lidhur me pranimin e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës, njofton Shqip.com.

Mustafa me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se nuk ka qenë kryeministër në kohën kur është nënshkruar Marrëveshja e Parë në Bruksel dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, por që ajo marrëveshje ka sanksionuar themelimin e Asociacionit.

“Në kohën kur është nënshkruar Marrëveshja e Parë në Bruksel dhe është ratifikuar në Kuvend në Prishtinë, (e cila ka sanksionuar themelimin e Asociacionit), Isa Mustafa nuk ka qenë Kryeministër i Kosovës. Prandaj rrjedhimisht dezinformojnë dhe gënjejnë të gjithë ata që ma përshkruajnë mua Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit”, ka shkruar Mustafa.

Në këtë postim, ai ka postuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila përshkruan se më 28 maj të vitit 2013, Qeveria ka miratuar vendimin me të cilin “aprovohet Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes se pare ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës se Serbisë dhe të planit të zbatimit për këtë marrëveshje”. 

Ai më tej tha se fakti se Serbia është pajtuar që statutin e Asociacionit ta trajtojë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, flet se në asnjë rast Asociacioni nuk do të bëhej në kundërshtim me Kushtetutën.

“Se a do të themelohet Asociacioni apo jo, se a do të zbatohet Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë të vitit 2013 tani është në kompetencë të lidershipit të Kosovës. Por Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë se Asociacioni themelohet sipas Marrëveshjes së Parë të vitit 2013”, ka shkruar më tej ai.

Ky reagim i Mustafës erdhi pasi anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, tha se “frikësohet” se Qeveria e Kosovës mund ta pranojë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, veçanërisht pas marrëveshjes për targat dhe kërkesave të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian dhe Serbia për implementimin e marrëveshjes së vitit 2015.

Sipas tij, Asociacioni me fuqi ekzekutive duhet të jetë i papranueshëm për Kosovën, por sipas tij me Qeverinë Kurti rrezikohet themelimi i tij.

“Unë kam drojë se me këtë lloj qeverie të papërgjegjshme dhe pa zonjë në punët e jashtme mund të rrezikojmë një asociacion me fuqi ekzekutive. Gjithsesi është i pa pranueshëm dhe cenon rregullimin kushtetues të Kosovës dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, thotë ai për KP.

Pas kësaj deklarate, Arlind Manxhuka – zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje publikoi një fotografi ku i ka kujtuar Hamitit kohën kur Isa Mustafa si kryeministër dhe Hashim Thaçi si ministër i Punëve të Jashtme, dikur kishin “nënshkruar marrëveshjen për Zajednicën”.

Fotografia e publikuar nga zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka

Në fotografinë e publikuar nga Manxhuka, shihet Mustafa dhe Aleksandër Vuçiq duke nënshkruar në prani të shefes së atëhershme të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

“Foto 2015: Kryeministri Mustafa e ministri i punëve të jashtme, Hashim Thaçi, nënshkruajnë marrëveshjen për Zajednicën. Komenti 2021: LDK frikësohet se Qeveria do të pranojë Zajednicën”, ka shkruar Manxhuka krahas fotografisë. /Shqip.com