Lajme

Murtezaj: Këngëtarët, hoteleria dhe gastronomia i përmbushin më së paku detyrimet tatimore

Klubet e natës

“Sektorët e hotelerisë, gastronomisë dhe muzikës i përmbushin më së paku detyrimet tatimore ndaj shtetit”.

Kështu ka thënë drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, i cili tha se këto sektorë më së paku i paguajnë tatim shtetit.

“Pjesa e këngëtarëve, hotelerisë dhe gastronomisë, sektori ynë e ka identifikuar si fushë me rrezik, si fushë që i përmbush më së paku detyrimet. Përveç restorantit, që bën organizime, aty ka edhe shërbime të tjera që nuk ndërlidhen me sallën, por që lidhen me pronarin e dasmës me fotografin”, ka deklaruar Murtezaj në një konferencë për media.

Murtezaj, theksoi se një ndër ankesat e këngëtarëve është edhe ndikimi i pandemisë në ekonomitë e tyre. Sipas tij, kjo nuk qëndron, sepse në kohën kur nuk e ushtrojnë profesionin e tyre, ata nuk i detyrohen shtetit t’i paguajnë tatim.

Murtezaj tha se ndikimi i pandemisë nuk është argument i qëndrueshëm për të mos e paguar tatimin.

“Kemi pasur ankesa nga këngëtarët, që pandemia i ka dëmtuar, e tash kur janë të lirë përsëri po ankohen, se Qeveria na ka rënë në qafë. Nuk duhet të pretendojmë të fshihemi prapa pandemisë, sikurse vetëm ata qenkan dëmtuar”, ka thënë Murtezaj.

Lexo edhe:

Murtezaj, ritheksoi numrin e vogël të inspektorëve karshi mijëra bizneseve. Sipas tij, nuk mjaftojnë 300 inspektorë për të qenë prezent te secili biznes, e që sipas tij janë diku mbi 100 mijë.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i raportojnë bizneset që nuk iu lëshojnë kupona fiskalë. Murtezaj bëri të ditur se personalisht ka hasur në raste të tilla dhe i ka denoncuar.

Ndërkaq, edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, tregoi se ka hasur në biznese që nuk kanë lëshuar kupon fiskal, dhe se të tillët i ka denoncuar personalisht te drejtori i ATK-së (Ilir Murtezaj).

Po ashtu, Murati bëri të ditur se janë duke punuar që pagesa e tatimeve, të cfarëdolloji, të bëhet në mënyrë digjitale./SHQIP.com