Lajme

Murati tregon rreth aplikimeve lidhur me mbështetjen ku punëtorët mund të marrin nga 100 dhe 50 euro

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka folur lidhur me masën 1 në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, e cila lidhet me mbështetjen për punësim dhe krijim të vendeve të reja të punës, përcjell Shqip.com.

Në një konferencë për media, Murati ka njoftuar se deri më tash, mbi dy mijë e 500 aplikime janë pranuar për nën masat e kësaj pike.

 “Deri më tani që nga lansimi i masave 1.1, 1.2 dhe 1.3 kemi pranuar 2,500 aplikime për të tri masat. Për masën 1.1 kemi pasur 400 aplikime, për masën 1.2 janë 800 aplikime dhe për masën 1.3 kemi pasur rreth 1,300 aplikime. Mund të thuhet se suksesi ka qenë relativisht i mirë”, ka thënë Murati.

Tutje, ai tha se për masën 1.1,  për ata që janë punësuar nga data 1 korrik, do të ofrohet mbështetje prej 100 eurosh për gjatë tre muajve, kurse për masat 1.2 dhe 1.3, do të ketë përkrahje me nga 50 euro në muaj.

“Në kuadër të saj kemi për qëllim zgjerimin e këtyre tri masave, ku fillimisht kanë qenë për punëdhënësin që të nxiten e të punësojnë staf të ri, sipas masës 1.1 ata që kanë humbur vendin e punës dhe që punësohen nga data 1 korrik e tutje do të kenë mbështetje prej vlerë 100 euro për tre muaj radhazi. Kurse për masat tjera, pra për 1.2 dhe 1.3 për të gjithë të punësuarit e ri, mbështetja do të jetë për tre muaj me nga 50 euro”, shtoi ai.

Po ashtu, ai ka sqaruar edhe hapat që duhet ndërmarrë për të aplikuar lidhur me këto tri nën masa.

“Për masën 1.1 punëdhënësi duhet ta shpall konkurs për pranimin e punëtorëve, për ata që kualifikohen që kanë humbur vendin e punës gjatë kohës së pandemisë COVID-19. Këtë gjë punëdhënësi mund ta verifikoj në faqen e Administratës Tatimore, duke e shkruar vetëm numrin e letërnjoftimit dhe del mesazhi nëse e ka humbur vendin e punës dhe nëse aplikojnë e kanë një përparësi, ngase shteti ia mbulon gjysmën e pagës deri në 170 euro të punëdhënësi, po ashtu ofron nga 100 euro shtesë. E tëra se çfarë duhet është që punëtori të deklarohet në ATK dhe ta plotësoj formularin për kërkesë për subvencionim në platformën EDI”, ka sqaruar ai./Shqip.com