Lajme

Murati: Tërheqja e mjeteve të Trustit shkakton precedent të rrezikshëm

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

Gjatë ditës së martë është mbledhur Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku si rend dite është shyqyrtuar në parim Projektligji për ndryshimin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, ka thënë se është paraparë të ketë rishikim të buxhetit për vitin 2022, për shkak të rrethanave të cilat janë tani.

“Kemi një rishikim që është bërë vetëm në Ministrinë e Financave, pra nuk prek asnjë organizatë tjetër buxhetore, pra bëhet vetëm në një program tek subvencionet dhe transferet. Pra ky është një rishikim i jashtëzakonshëm, andaj si të tillë kemi vlerësuar se tani për tani nuk mund të japim indikator makroekonomik, një pasqyrë do të kemi kur ta kemi në mes të viti, do të kemi më shumë të dhëna dhe do të mund të ndërtojmë atë”, deklaroi Murati.

Trsuti Pensional i Kosovës

Ai gjithashtu e ka theksuar se shuma prej 100 euro do të jetë një ndihmesë e madhe për familjet në Kosovë.

“Mesatarisht një familje në Kosovë do të përfitojë 200 deri në 400 euro, varësisht se sa anëtarë përfitojnë. Raste të tilla të mbështetjes ka në Francë dhe Gjermani, që i kanë mbështet qytetarët në mënyrë direkte”, theksoi ai.

Ministri Murati gjithashtu ka përmendur mundësinë e tërheqjes së mjeteve nga Trusti, duke thënë se do të shkaktonte precedent të rrezikshëm.

“Kjo do të shkaktonte precedent të rrezikshëm, pra po vërtetohet ajo që e kemi thënë edhe më parë për Trustin. Ky fond nuk do të mund të ndihmojë ato familje që kanë nevojë”, tha ai.

Nga ana tjetër deputeti Mërgim Lushtaku, ka thënë se nuk ka ndonjë analizë të thuktë për këtë rishikim të buxhet për vitin 2022.

“Forma se si është sjellë ky buxhet, është pa bazë ligjore. Unë i arsyetoj për shkak të krizës, por së pari është dashur të merret vendimi dhe pas kësaj kjo që është sot”, tha ai./Shqip.com