Lajme

Murati: Buxheti për projekte kapitale është ndarë proporcionalisht

Gjatë ditës së sotme nëpër shumë media është aluduar se me ndarjen e buxhetit për vitin 2023, Qeveria e Kosovës po e orienton buxhetin në drejtim të komunave ku qeverisë VV-ja.

Mirëpo me këtë nuk po pajtohet Ministri i Financave, Punës dhe Transefereve, Hekuran Murati.

Sipas Muratit, buxheti për projekte kapitale është ndarë proporcionalisht.

“Konstatimi në titull u referohet projekteve që në total bëjnë 12 milionë euro, e që nga 811 milionë euro sa është buxheti total për investime kapitale i bie më pak se 1.5%. Larg me 52%-shin bombastik e dezinformues në titull”, ka shkruar Murati.

Më tutje Murati ka thënë se shumica e buxhetit për projektet e reja kapitale, është shpërndarë proporcionalisht dhe barabartë nëpër të gjitha komunat, përmes grantit qeveritar.

“Pjesa tjetër e buxhetit është alokim shtesë nëpër projekte ekzistuese që janë zvarritur me vite të tëra e nuk janë përfunduar kurrë, sepse qeveritë e kaluara i kishin nisur pa buxhetin e mjaftueshëm. As kjo nuk është reflektuar në këtë analizë”, ka bërë të ditur Murati.

Kushdo që është i interesuar të dijë më shumë për buxhetin, mund të na bashkohet në takimet që po mbajmë me qytetarë nëpër komuna, ku shpalosim shumë detaje e plane për vitin 2023, ka bërë të ditur Murati.

/Shqip.com