Lajme

Murati: 164 mijë fëmijë e 19 mijë lehona kanë pranuar shtesa që nga shtatori i vitit të kaluar

Ministri i Financave, Punës dhe Trasnsfereve, Hekuran Murati ka thënë se që nga shtatori I vitit të kaluar 164 mijë fëmijë e 19 mijë lehona kanë pranuar shtesa nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Janë 164,388 fëmijë e 19,753 lehona që kanë pranuar shtesa që nga shtatori i vitit të kaluar e deri më sot. I patëm premtuar e po i paguajmë çdo muaj”, ka thënë Murati.

Vetëm këtë muaj kemi 10,853 fëmijë që i janë shtuar skemës së shtesave për fëmijë e 1,992 gra skemës së shtesave për lehonat, ka shtuar Murati.

Murati ka bërë të ditur se të hënën Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të realizojë pagesat për këto dy skema.

“Në muajin gusht do të hapim aplikimin për shtesat për fëmijë edhe për një gjeneratë, për të gjithë fëmijët që kanë lindur në vitin 2013”, ka thënë Murati.

Kështu do të vazhdojmë deri në përmbushjen e plotë të premtimit për të përfshirë të gjithë fëmijët e Republikës deri në moshën 16 vjeçare në skemën e shtesave për fëmijë, ka shtuar më tutje Murati./Shqip.com